Vitin e kaluar, përmbaruesit në Maqedoninë e Veriut kanë arkëtuar me detyrim 137.368.058 euro, që përfaqëson realizim prej 43.63 për qind të kërkesave të pranuara për arkëtim. Edhe pse shuma totale e arkëtuar është më e ulët krahasuar me vitin 2024 për rreth 23.3 milionë euro, të dhënat tregojnë rritje të shumës së arkëtuar nga qytetarët-debitorë. Sipas raportit për punën e përmbaruesve, pjesa më e madhe e mjeteve është arkëtuar nga kompanitë – 63.466.121 euro. Nga qytetarët janë arkëtuar me detyrim 50.866.174 euro, që është shuma më e lartë e regjistruar ndonjëherë dhe për herë të parë tejkalon kufirin prej 50 milionë eurosh. Nga shteti janë arkëtuar 24.802.218 euro. Krahasuar me vitin 2024, arkëtimi në vitin 2025 nga qytetarët është rritur për gati 4 milionë euro, ndërsa te kompanitë dhe shteti ka rënie të mjeteve të arkëtuara.

Kompanitë nuk janë vetëm debitorët më të mëdhenj, por janë edhe kreditorët më të mëdhenj. Gjatë vitit 2025, firmat përmes përmbaruesve kanë arkëtuar mbi 105 milionë euro. Qytetarët si kreditorë kanë arkëtuar mbi 31 milionë euro, ndërsa shteti në këtë rol ka arkëtuar pak më pak se 2.5 milionë euro.

Të dhënat e Dhomës së Përmbaruesve tregojnë se në dy dekadat e fundit, nga vendosja e sistemit të përmbarimit deri në fund të vitit 2025, janë arkëtuar me detyrim gjithsej 2.220.801.014 euro. Gjeografikisht, pjesa më e madhe e arkëtimit në vitin 2025 është realizuar në Shkup – gati 70 milionë euro. Pasojnë zonat e Gjykatës Themelore në Manastir dhe Gjykatës Themelore në Resnjë me rreth 10.7 milionë euro, si dhe gjykatat në Veles, Gjevgjeli, Kavadar dhe Negotinë me rreth 9.8 milionë euro. Gjatë vitit janë paraqitur 160.971 kërkesa për arkëtim me detyrim nga ana e kompanive, prej të cilave 10.257 janë nga banka dhe 45.219 nga ndërmarrje komunale.

Ndërkohë, sërish po aktualizohen ndryshimet e paralajmëruara ligjore për digjitalizimin dhe rritjen e efikasitetit të procedurës përmbarimore, ndërsa sindikatat kërkojnë uljen e kostove që paguajnë debitorët.(Portalb.mk)

sqShqip