Kryeministri i vendit, Albin Kurti pak më parë ka zhvilluar një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Burime të IndeksOnline bëjnë me dije se përgjatë këtij takimi, Kurti i ka kërkuar Abdixhikut që t’i bëjë kuorumin Glauk Konjufcës, si kandidat për president të vendit.
Takimi Kurti- Konjufca u mbajt në ambientet e Kuvendit. Të dy udhëheqësit e partive janë takuar qe tri herë në një javë, në përpjekje për arritjen e një dakordimi për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Pas takimit Kurti-Abdixhiku, LDK-ja është mbledhur për të diskutuar lidhur me këtë çështje, transmeton IndeksOnline.
Nënkryetari i kësaj partie, Kujtim Shala, ka thënë se pas takimit do të dilet me një deklaratë zyrtare.
Kurse, shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, gjatë mbajtjes së takimit Kurti-Abdixhiku ka thënë se ai u mbajt në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për presidentin dhe për të shmangur zgjedhjet.
Nagavci ka refuzuar të flasë për emra, por ka thënë se “do të bëjnë gjithçka brenda kompetencave për të shmangur edhe një palë zgjedhje”.
Nga ana tjetër, Anton Quni nga LDK është deklaruar lidhur me çështjen e presidentit, dhe qëndrimin e tij për presidenten Vjosa Osmani.
Quni, ka thënë se qëndrimin personal të tij e ka dhënë në strukturat e LDK’së, dhe se, ai do të pajtohet me vendimin që do të merret aty./IndeksOnline/

