Trupi i Ali Khamenei është gjetur dhe vdekja e tij është konfirmuar. Lajmi u tha nga një zyrtar i lartë izraelit për agjencinë e lajmeve Reuters.
Besohet se ai ka gjetur vdekjen nga bombardimet Izraelite rreth orës lokale 9.30 minuta kur u sulmua kompleksi që strehonte liderin suprem të Iranit.
86 -vjeçari e ka drejtuar Iranin që nga viti 1989. Si Udhëheqës Suprem, ai mban autoritetin përfundimtar mbi të gjitha degët e qeverisë, ushtrinë dhe sistemin gjyqësor në republikën islamike shiite.
Gjatë afro katër dekadave, Khamenei ndërtoi një fuqi rajonale që rivalizonte shtetet sunite përtej Gjirit, ndërsa promovonte zhvillimin e teknologjisë bërthamore, gjë që shqetësoi thellësisht vendet e rajonit.
Irani ka qenë vazhdimisht armiqësor ndaj SHBA-së dhe Izraelit — ndërkohë që ka shtypur me forcë valë të përsëritura trazirash brenda vendit.
Por sulmet e së shtunës ndaj Iranit vijnë në një moment kur vendi përballet me një seri krizash të njëpasnjëshme.
Khamenei u detyrua të fshihej në qershor të vitit të kaluar pas sulmeve që vranë disa prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë dhe komandantë të Gardës Revolucionare. Sulmet e qershorit 2025 nga Izraeli dhe SHBA-ja shkatërruan objekte të rëndësishme bërthamore dhe raketore.
Protesta të mëdha në janar nga një popullsi e zemëruar, që përballej me pasojat e sanksioneve, u shtypën me një kosto prej mijëra jetësh.
Dhe që prej sulmit të mbështetur nga Teherani të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ndikimi rajonal i Khameneit ka ardhur duke u dobësuar.

