Ndryshimet kushtetuese mbeten kusht i Maqedonisë së Veriut për të avancuar në procesin integrues. Këtë e thekson raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut, i cili ditë më parë u debatua në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Deputeti raportues Tomas Uajc tha se ky kusht duhet përmbushur derisa në dyja vendet ekzistojnë forca pozitive për ta ecur procesin para. Vendeve anëtare i bëri thirrje që t’i përmbushin detyrat e tyre mbi politikat e zgjerimit.

“Kur flasim për reformat në sundimin e së drejtës lirisht mund të them se Maqedonia e Veriut ka ende shumë për të bërë… Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, është e nevojshme të përmbushet ky kusht duke përfshirë në Kushtetutë komunitete të tjera. Sidomos në kontekstin e historisë së rajonit, mundësia e ndarjes së qeverisjes është vlerë e lartë dhe një parakusht i rëndësishëm për progres”, tha Thomas Uajc, Eurodeputet.

Lidhur me sundimin e ligjit dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, raporti potencon mungesën e dialogut politik dhe pavarësinë institucionale si arsye për ngecje në drejtësi dhe luftën efikase kundër korrupsionit.

Vajc ka prekur edhe çështjen e lirisë së mediave ku është konstatuar se nevojitet pavarësi më e madhe e mediave dhe luftë më efikase me mekanizma ligjor kundër lajmeve të rreme. Në raport potencohet edhe nevoja e Korridorit 8 si arterie kryesore për bashkëpunim rajonal, zhvillim ekonomik e industrial për vendet që lidh ky korridor.

Në raportin e fundit nuk është potencuar deri tani shqetësimi për “botën serbe”, një vërejtje kryefjalë e cila ishte theksuar në raportin e vitit kaluar i cili në Parlamentin Evropian ishte miratuar në korrik më 461 vota për dhe 121 vota kundër. /Alsat.mk

sqShqip