Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e lojërave amatere sportive Plazma për fëmijë, të cilat gjatë viteve të fundit kanë bashkuar mbi dy e gjysmë milionë fëmijë nga disa shtete. Më të mirët do të marrin pjesë në ndeshjet finale që do të zhvillohen në gusht të këtij viti në Split.
Kjo iniciativë vazhdon prej 27 vjetësh, ndërsa përfshin fëmijë nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Sllovenia. Qëllimi është që fëmijët të ndjejnë vlerën e vërtetë të sportit dhe përmes tij të mësojnë vlerat e duhura në jetë.
Në nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes mes platformës ndërkombëtare “Lojërat sportive për të rinj” dhe Federatës së sporteve shkollore, ishin të pranishëm edhe kryeministri Hristian Mickoski dhe ministri i sportit Borko Ristovski.
“Për herë të parë jemi në Maqedoninë e Veriut dhe besojmë se kjo do të jetë një hap përpara. Dua t’i ftoj fëmijët të marrin pjesë dhe përmes sportit të njoftojnë shumë miq. Më të mirët i presim në finalen më të mirë në Split”, tha kryetari i lojërave sportive Plazma, Zdravko Mariq.
Sipas kryeministrit Hristian Mickoski, me këtë hap vendi krijon sinergji mes të rinjve dhe sportit.
“Është e rëndësishme të mësojmë të rinjtë se e ardhmja është tek ata. Mund të flas si një sportist jo i suksesshëm, por sporti ka mbetur gjithmonë brenda meje, dhe për këtë arsye si Qeveri për herë të parë krijuam Ministrinë e Sportit. Mendoj se ngadalë, por me siguri po kalojmë me sukses sfidat fillestare dhe po fillojmë të funksionojmë”, tha Mickoski, duke folur për veten si basketbollist, i cili e ka drejtuar jetën e tij drejt një rruge tjetër.

