“Ne bëjmë punë, ata bëjnë propagandë!” , kështu ka shkruar deputeti Adnan Azizi në llogarinë e tij në Facebook, duke shpërndarë postimin e zëvendëssekretarit të Qeverisë, Hasim Murtezani, i cili ka njoftuar se gjatë vitit 2025 janë avancuar 12 shqiptarë në pozita më të larta brenda Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, ndërsa është marrë vendim që deri në qershor 2026 të avancohen edhe 10 të tjerë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Murtezani thekson se shqiptarët në administratën qeveritare ishin lënë për vite në pozita të ulëta dhe pa mundësi avancimi, duke ia atribuar këtë gjendje politikave të mëparshme të Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Ai shton se falë politikave të VLEN për ruajtjen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, në 20 muajt e fundit janë avancuar gjithsej 22 shqiptarë në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë.
Murtezani e cilëson këtë si dëshmi se, sipas tij, “ka kush kujdeset për shqiptarët” brenda ekzekutivit aktual.

