Agjencia Federale Gjermane e Punësimit (BA) njoftoi se në dhjetor 2025 kishte refuzuar rreth 18.000 kërkesa, sepse ishte shteruar kontingjenti vjetor në kuadër të të ashtuquajturës Rregullore për Ballkanin Perëndimor, dhe jo sepse të gjithë aplikantët ishin vlerësuar si të papërshtatshëm për punë. BA e bëri këtë të ditur në një njoftim më 18 shkurt 2026, transmeton Portalb.mk.
Pika kyçe, pra, është se bëhet fjalë për një kufizim të sistemit, e jo për “mbyllje të derës” për Ballkanin Perëndimor si kategori. BA thekson qartë se rregullorja ka një kontingjent fiks prej maksimumi 50.000 aprovimi në vit, të shpërndara sipas muajve dhe shtetësive, dhe se kërkesat mund të përpunohen vetëm për aq kohë sa ka kontingjent mujor të lirë për shtetin përkatës.
Për Maqedoninë kjo është një temë e rëndësishme, pasi ne jemi një nga gjashtë shtetet e përfshira nga rregulli (së bashku me Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë). Sipas BA-së, rregullorja vlen për pothuajse çdo lloj punësimi (me përjashtim të profesioneve të rregulluara si mjek), ndërsa njohja e kualifikimeve nuk është parakusht për profesionet e parregulluara. Në praktikë, procesi mbështetet në një pëlqim paraprak nga BA dhe më pas në vizë përmes ambasadës gjermane/sistemit të vizave.
Pse atëherë kërkesa është kaq e lartë? Përgjigjja qëndron në kombinimin e mungesës së fuqisë punëtore në Gjermani dhe lehtësimit gradual të migrimit të ligjshëm për punë. BA thekson se migrimi i përgjithshëm për punë në Gjermani është më shumë se dyfishuar që nga viti 2020, ndërsa në qershor 2025, 420.000 persona me sigurim shoqëror kishin leje qëndrimi mbi bazën e punësimit. I njëjti njoftim shton se më shumë se një e katërta e këtyre personave vijnë pikërisht nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Prandaj, shifra prej 18.000, duhet të lexohet edhe si tregues i presionit mbi mekanizmin, dhe jo vetëm si lajm për refuzim. Për më tepër, debati më i gjerë në Gjermani tregon se tema është edhe politike: ekziston presion nga disa aktorë politikë që të ruhet kufiri prej 50.000, me argumentin se rregullorja i ndihmon tregut të punës, sidomos në ndërtimtari, zejtari dhe sektorin e shërbimeve.
Në të njëjtën kohë, burime analitike në Gjermani theksojnë edhe një dallim të rëndësishëm që shpesh humbet në tituj: numri i pëlqimeve dhe procedurave të vizave nuk nënkupton automatikisht të njëjtin numër ardhjesh reale dhe punësimesh. Sipas analizës së Mediendienst Integration, interesi është më i madh se hyrjet reale, ndërsa disa nga arsyet janë ngushticat administrative dhe pritjet e gjata në procesin e vizave, për shkak të të cilave disa kandidatë heqin dorë ose e shtyjnë largimin.
Rezultati për momentin është i dyfishtë. Në periudhë afatshkurtë, lajmi konfirmon se kanali për punë të ligjshme përmes Rregullores për Ballkanin Perëndimor mbetet shumë i kërkuar dhe se kontingjentet mund të shterohen para përfundimit të procedurave. Në periudhë afatmesëm, zhvillimi do të varet nga politika gjermane për kuotat: nëse do të mbetet vëllimi aktual apo do të ketë kufizime të reja, çështje që tashmë është objekt debati publik dhe parlamentar.

