Maqedoni

Korriku i këtij viti, i treti më i nxehtë në histori

Korriku i këtij viti është klasifikuar si muaji i tretë më i nxehtë në histori.

Mediat e huaja bëjnë me dije se nga të dhënat e fundit të publikuara nga shkencëtarët e Shërbimit Europian për Monitorimin e Ndryshimeve Klimatike “Kopernikus”, rezulton se temperaturat e korrikut kanë qenë ndër më të nxehtat në histori.

Ndër të tjera ato paralajmërojnë se çlirimi i gazrave serë po ndryshon në mënyrë të pakthyeshme klimën e planetit tonë.

Sipas ekspertëve, vetëm muajt Korrik të viteve 2019 dhe 2016 kanë qenë më të nxehtë se ky i sivjetmi. Dëshmi e për këto ndryshime të frikshme është edhe i nxehti i pazakontë që përjetuan këtë vit, Finlanda, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja apo Rusia, ku temperaturat kapërcyen 40 gradë celsius.

Pasojë e tyre janë edhe reshjet e dendura që shkaktuan përmbytje me qindra viktima në gjatë javëve të fundit në Gjermani, Belgjikë e Kinë. Shërbimi Kopernikus bën regjistrim të veçantë të temperaturave në vende të ndryshme të kontinentit dhe botës që prej viteve ’50.