Inspektorati i Punës do të paraqesë kallëzim penal në Prokurorinë Publike për ngjarjen tragjike, në të cilën dy javë më parë, në një objekt banimi në ndërtim e sipër në Ohër, humbi jetën fotografi Kristijan Lushev. Në momentin e tragjedisë 28-vjeçari, së bashku me një person tjetër, po barte elemente, ndërsa u pengua në një kovë, humbi ekuilibrin dhe ra në hapësirën e parashikuar për ashensor në bodrum.

“U konstatua se dy subjekte juridike nuk kishin ndërmarrë masa në përputhje me rregulloret në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Për këtë arsye do të paraqiten kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike kompetente për veprime të mëtejshme”, njoftojnë nga Inspektorati i Punës.
Rasti është në fazë hetimi në Prokurori. Është kryer autopsia dhe janë dhënë urdhra për mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes.

“Inspektorati i Punës duhet të dorëzojë raport në prokurori lidhur me gjendjen e konstatuar. Ndërkohë, po ndërmerren edhe veprime të tjera, përfshirë marrjen e deklaratave nga persona që kanë njohuri të caktuara”, thonë nga PTHP.

Babai i Lushevit kërkon përgjegjësi dhe zbardhje të rastit nga institucionet, në mënyrë që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.

" "

“Pres drejtësi për fëmijën, edhe pse askush nuk mund ta kthejë. Dy-tri ditë para se të ndodhte aksidenti, i çova fëmijës tim portofol. U ngjita dhe hyra lirshëm në atë ndërtesë deri në katin e dytë. Gjëja e parë që vura re ishte se kishte hapësira në ndërtesë, vrima të ashensorëve, ku nuk kishte mbrojtje. Më kapi frika dhe i thashë djalit tim të bëjë kujdes, sepse gjithçka mund të ndodhte”, deklaroi Valentin Lushev – babai i Kristijanit.

Ai kërkon gjithashtu kontroll më të madh nga shërbimet inspektuese dhe respektim të plotë të ligjeve. /Alsat.mk

sqShqip