Arianit Hoxha nuk hyn në BDI me ide, me elektorat apo me peshë politike. Ai hyn me një CV të mbushur me kalime: PPD, PDSH, DR, Besa, PDE – dhe tani BDI. Një shëtitje e gjatë pa asnjë gjurmë, pa asnjë kontribut, pa asnjë betejë të fituar. Një figurë që ka provuar çdo derë, sepse nuk ka arritur të ndërtojë shtëpi politike askund.
Çfarë fiton BDI me shkrirjen e Arianit Hoxhës në radhët e saj? Asgjë. Absolutisht asgjë. Përveçse e vulos publikisht faktin se ka hyrë në fazën më të ulët të ekzistencës së saj politike: faza e riciklimit.
BDI, duke e pranuar këtë shkrirje, nuk po fiton forcë, por po pranon dobësinë e vet. Po dëshmon se nuk ka më kapacitet të nxjerrë lidership nga brenda, po pranon se është e varur nga figura të konsumuara që kërkojnë strehë, jo përgjegjësi. Një parti që dikur pretendonte të ishte bosht politik, sot po shndërrohet në azil për ambicie të dështuara.
Kjo lëvizje nuk bind askënd. Nuk mobilizon bazën. Nuk sjell shpresë. Përkundrazi, i dërgon një mesazh të qartë opinionit publik: BDI nuk po ndryshon, por po mbijeton. Dhe mbijetesa përmes fundërrinës nuk është strategji – është shenjë e rënies së pakthyeshme.
Në fund, pyetja nuk është çfarë fiton BDI nga Arianit Hoxha, por sa shumë humbet: besueshmëri, dinjitet politik dhe çdo pretendim për reformë reale,sepse kur një parti e shet mungesën e parimeve si fitore, ka pranuar më parë humbjen e vet historike.

