Vazhdon rritja e numrit të të prekurve nga virusi, autoritet bëjnë thirrje për vaksinim masiv
Vazhdon rritja e numrit të të prekurve nga COVID 19. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 54 të infektuar nga gjithsej 3764 testime. Janë shëruar 12 persona. Ndërkohë në rrjedhë është procesi i imunizimit të qytetarëve. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar 14.230 qytetarë. 3770 prej tyre kanë pranuar dozën e parë ndërsa të tjerët janë rivaksinuar. Maqedonia e Veriut është renditur e para në rajon si dhe në disa vende të Evropës për numër më të lartë të vaksinave të aplikuara në bazë ditore në 100 banorë. Ministri i Shëndetësisë i ka bërë thirrje qytetarëve që kjo dinamikë e vaksinimit të vazhdojë deri në arritjen e imunitetit kolektiv. Deri më tash janë vaksinuar 506.033 persona. Procesi i vaksinimit zhvillohet në gjithë territorin e vendit nëpër Shtëpitë e Shëndetit, në salla sporti dhe në terren nëpër fshatra. Ndërkohë rrjedh dhe vaksinimi i personave të pa lëvizshëm në kushte shtëpiake. Përqindje më e lartë e të vaksinuarve shënon mosha e tretë, apo qytetarët e moshës mbi 70 vjeçare, megjithatë edhe vaksinimi i grup moshave tjera është mbi 45%. 85% e punonjësve shëndetësor deri më tash janë imunizuar, ndërkaq përqindja e mësimdhënësve të vaksinuar deri më tash është mbi 55%. Nga ana tjetër Ministria e Arsimit nuk ka të dhëna të reja nëse numri i të punësuarve në Arsim që janë vaksinuar ka shënuar rritje.