Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski thotë se çmimet e larta të banesave në këtë moment janë të fryra dhe i këshilloi qytetarët të mos blejnë banesa që nuk janë ndërtuar.
“Jam i shqetësuar se po krijohet një flluskë në industrinë e ndërtimit dhe do të doja t’u kërkoja qytetarëve të mos blejnë banesa pa i parë me sy e vetë. Të mos blejnë banesa me një të ashtuquajtur shënim në regjistrin e pronave, por të blejnë banesa në ndërtesa që tashmë kanë marrë një leje përdorimi.
Sepse kam frikë se kjo flluskë mund të shpërthejë dhe se ndërtesa të shumta mund të mbeten të papërfunduara. U bëj thirrje qytetarëve të jenë shumë të kujdesshëm kur blejnë pasuri të paluajtshme. Këshilla më e thjeshtë është t’i kërkojnë investitorit një leje përdorimi dhe ta regjistrojnë atë në “Kadastër”.
Nuk kam takuar askënd që ka blerë një banesë për 2.500 ose 3.000 euro, dhe këto janë çmimet, gjë që më sjell përsëri shqetësimin se kjo është një “flluskë””, tha Ministri në podkastin “Radio Lider”.
Nikolloski shton se shteti nuk mund të ndërhyjë në mënyrë të përshtatshme dhe ta shpërthejë flluskën sepse bëhet fjalë për hapësira të kufizuara, domethënë një presion mbi disa zona urbane, ndërsa sipas Ministrit, çmimet në vendbanime të tjera po bien.

