81 vota “për” gjobat që vijnë nga “Safe City”. VMRO-VLEN-ZNAM, Levica dhe deputeti i pavarur tashmë, Ilir Demiri kanë votuar që nga 1 shkurti të hyjnë në fuqi kamerat e vendosura vetëm në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, shkruan gazeta KOHA. Paraprakisht, ishte koordinatori i Grupit parlamentar të Levicës, Boris Kërmov, ai i cili tha që në fillim të seancës se Levica mbështet Ligjin, ndërsa tha se kjo bëhet për sigurinë e qytetarëve.
“Gjashtë deputetët e Levicës do të votojnë për ndryshimet e Ligjit për kundërvajtje, konkretisht për “Safe City” në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë”, tha Kërmovi. Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari u shpreh kundër “Safe Cityt”, ashtu sikurse edhe Rijad Shaqiri dhe Ilire Dauti. Pasi ndryshimet e Ligjit u votuan me 81 vota, deputetja e BDI-së, Rina Jadari kërkoi votim veçmas dhe të hapur, ndërkohë që sërish dolën 81 vota “për”.

