Prokuroria nuk ka prova të drejtpërdrejta se 350 mijë eurot e gjetura në shtëpinë e prindërve të gjyqtarit Gjoko Ristov lidhen me ndonjë rast konkret gjyqësor. Në brifing me gazetarët, prokurorja e lëndës Iskra Haxhivasilevska tha se megjithatë, ata posedojnë prova se paratë kanë prejardhje të dyshimtë dhe për këtë arsye janë fshehur. Kur policia dhe hetuesit u kanë trokitur në derë për bastisje prindërve të Ristovit, ata u kanë thënë se nuk kanë para në shtëpi. Pasi janë gjetur 350 mijë eurot në bunker, prindërit kanë thënë se paratë nuk janë të djalit të tyre, por ata vetë i kanë përfituar nëpërmjet kultivimit të rrushit.
“Nuk dihet nëse paratë janë prej ndonjë lëndë ose konkretisht prej disa lëndëve që eventualisht i ka udhëhequr gjykatësi Ristov, por Prokuroria punon me shumë dëshmitarë dhe prova. Deklarata e prindërve nuk e ka bindur Prokurorinë dhe nuk është e besueshme se 350 mijë euro janë fituar nga bujqësia”, deklaroi Iskra Haxhivasilevska, Prokurore.
Sipas prokurores, gjyqtari Ristov mbi një vit është nën llupë të Prokurorisë meqë kishte informacione se ka kërkuar ryshfet. Për këtë ka pasur paraqitje të ndryshme në Prokurori, publikime nëpër media, janë marrë informata nga lëndë tjera që janë udhëhequr, ndërsa plotësisht informata ka ndarë edhe Agjencia për Siguri Kombëtare. Prova janë gjetur edhe në telefonat e konfiskuar nga të burgosurit. Megjithatë, alarmi është kyçur pasi avokati Fehmi Stafa është kapur në flagrancë duke marrë ryshfet për ta liruar nga paraburgimi Lupço Pecovin i njohur si djalli në rastin “Zinxhir”. Me 50 mijë euro, Stafa ka pasur për detyrë ta korruptojë Ristovin.
“As Stafa e as Ristov nuk kanë qenë nën masa të veçanta hetimi (nuk janë përgjuar apo ndjekur). Nuk kemi provë të drejtpërdrejtë se paratë që i ka marrë Stafa kanë përfunduar te gjyqtari Ristov. Megjithatë, konturat e hetimit kanë filluar të vizatohen në momentin që u kap Fehmi Stafa”, tha Iskra Haxhivasilevska, Prokurore.
Ndërkohë organi i akuzës shpjegoi se për hetimin kanë kryer dy herë bastisje në tre lokacione që lidhen me pronat e gjyqtarit. Në herën e parë është gjetur një kasafortë, por ka qenë bosh, ndërsa herën e dytë paratë janë gjetur në shtëpinë e prindërve pas hetimit të dyshimeve se ka kryerje të punimeve ndërtimore, pas çka gjatë heqjes së një pllake qeramike muri, është konstatuar një vrimë në të cilën ndodheshin alumin në formë cilindri ku ishin 13 paketime të veçanta, ku janë gjetur gjithsej 610 kartëmonedha në vlerë nga 500 euro dhe 225 kartëmonedha në vlerë nga 200 euro, ose gjithsej 350.000 euro.
Ndërkohë nga Prokuroria arsyetojnë propozimin e tyre për masën e sigurisë së prezencës arrest shtëpie, në vend paraburgimit efektiv.
“I dyshuari kishte aktiv pushimin mjekësor, ndërsa më e rëndësishmja ishte se ai për dallim prej rastit të gjykatësit Naqe Georgiev i cili u kap me 10 mijë euro në flagrancë, Ristov, nuk u kap në flagrancë. Rreziku nga arratia gjithmonë ekziston, por kjo masë ishte e balancuar dhe proporcionale”, u shpreh Iskra Haxhivasilevska, Prokurore.
Për rastin sot reaguan edhe nga Shoqata e Gjyqtarëve të cilët japin mbështetje për hetimin, por kërkojnë që i njëjti të jetë transparent dhe para se gjithash të respektohet prezumimi i pafajësisë. /Alsat.mk

