Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga data 20 deri më 31 janar do të realizohet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve të vendosura për mbikëqyrjen e qarkullimit rrugor, në kuadër të projektit “Safe City”.

Sipas MPB-së, aktivitetet do të zhvillohen çdo ditë në intervalin kohor nga ora 08:00 deri në 20:00.

“Në periudhën nga 20.01. deri më 31.01. do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve (kamerave) të vendosura për mbikëqyrjen e qarkullimit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga Ministria sqarojnë se gjatë realizimit të këtyre procedurave do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullim.

" "

“Gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjetet në lokacionet ku bëhet testimi nuk do të lejohet të kalojnë gjersa zgjat procedura”, theksohet në njoftim.

MPB-ja bën të ditur se në javën e parë të periudhës së planifikuar, testimet do të zhvillohen vetëm në zonën e qytetit të Shkupit, në lokacionet ku tashmë janë të vendosura kamerat.

Në fund, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për bashkëpunim.

“U bëjmë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë kufizimet e përkohshme dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim, me qëllim të realizimit të pandërprerë dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

sqShqip