Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj incidentit të ndodhur në Tetovë, ku dy nxënës shqiptarë u sulmuan nga persona të lidhur me tifogrupin “Vojvodët”. Në një deklaratë publike, VLEN e cilësoi rastin si një përpjekje të rrezikshme për të ringjallur tensionet ndëretnike në prag të zgjedhjeve.

“Rastet e tilla janë kujtim i keq nga e kaluara që po ringjallen para zgjedhjeve dhe po keqpërdoren për të nxitur tensione ndëretnike,” thuhet në reagimin e tyre.

VLEN përshëndeti reagimin e shpejtë të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, që identifikoi dhe arrestoi disa nga të dyshuarit brenda një kohe të shkurtër.

“Sjellja e institucioneve është porosi e qartë dhe e prerë se incidente të tilla nuk do të lejohen dhe autorët nuk do të kalojnë pa ndëshkim, siç ndodhte në të kaluarën,” theksohet në deklaratë.

" "

Në të njëjtën kohë, VLEN kritikoi ashpër partinë Alternativa për Kosovën dhe Integrimin (AKI) dhe strukturat që lidhen me të, duke i akuzuar për përpjekje të qëllimshme për të politizuar incidentin dhe për të përfituar nga nxitja e tensioneve ndëretnike.

“Qytetarët e dinë mirë se kush tenton të përfitojë nga këto tensione, duke mos kursyer as fëmijët e shkollave. Ata gjithashtu kujtojnë se raste të tilla ndodhin vetëm kur BDI-ja është në vështirësi para zgjedhjeve,” thuhet në reagim.

Në fund, VLEN riafirmoi angazhimin e saj për bashkëjetesë, barazi qytetare dhe sundim të ligjit.

“Angazhohemi për një shtet demokratik, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë dhe ku kriminelët përballen me drejtësinë.”

sqShqip