Këtë vit, arsimi profesional i mesëm u zgjodh nga dy të tretat e nxënësve që përfunduan arsimin fillor. Nga rreth 17.000 nxënës, mbi 12.000 u regjistruan në shkollat profesionale për vitin shkollor 2025/2026. Numri i kompanive të përfshira në klasat duale është rritur në 700, me trend të vazhdueshëm rritës, ndërsa këto programe tashmë funksionojnë në 61 shkolla të mesme
Evis HALILI
Shkup, 11 janar – Nxënësit janë në pushimin dimëror dhe në bankat shkollore do të kthehen më 20 janar për të vazhduar mësimin në gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2025/2026. Gjatë këtij muaji pritet të miratohet Strategjia e Arsimit 2025-2030, ndërsa do të pasojnë edhe debate publike për paketën e ligjeve për arsimin e lartë dhe shkencën, pasi të publikohen në Regjistrin Kombëtar të Rregulloreve (ENER) për propozime dhe sugjerime, shkruan gazeta KOHA.
Siç ka paralajmëruar Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), investimet në arsim do të vazhdojnë. Gjatë vitit 2026 planifikohen mbi 160 investime infrastrukturore, rritje e buxhetit për shkencën, si dhe rritje e pagave për mësimdhënësit e arsimit fillor dhe të mesëm në mars, nga 7.5 deri në 10 për qind. Paralajmërohen gjithashtu ndryshime të rëndësishme në arsimin profesional të mesëm dhe një koncept i ri i maturës shtetërore, në varësi të llojit të arsimit. Duke bërë bilancin e vitit 2025, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaroi se është personalisht e kënaqur me punën e realizuar dhe me faktin që, siç u shpreh ajo, është vënë në lëvizje “diçka që për vite me radhë kishte ngecur në vend”.
“Ky proces po jep efekte të vogla, të ngadalta, por të sigurta, dhe pres që në vitet në vijim ato të përshpejtohen dhe të bëhen më të dukshme”, theksoi Janevska muajin e kaluar.
Strategjia që pritet të miratohet së shpejti do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin e arsimit në gjashtë vitet e ardhshme. Ajo synon forcimin e mbështetjes për mësimdhënësit, zhvillimin e kompetencave të tyre për mësimdhënie bashkëkohore, përmirësimin e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, rritjen e përfshirjes, optimizimin e rrjetit shkollor dhe krijimin e kushteve për mësim gjithëditor dhe një-ndërrimësh. Ky proces ka nisur që nga viti 2024 dhe tashmë 200 shkolla funksionojnë me një ndërrim. Dokumenti parasheh ndryshime në programet parashkollore, rritje të përfshirjes në arsimin fillor dhe të mesëm, futjen e formulave të reja për financimin e arsimit në vetëqeverisjet lokale, legjislacion të ri për arsimin e lartë, modernizimin e programeve mësimore dhe futjen e inteligjencës artificiale në procesin arsimor.
“Arsimi është i kushtueshëm, por vlera e cilësisë është më e madhe se çdo çmim. Reformat i kemi nisur paralelisht në të gjitha segmentet, sepse stagnimi ishte i dukshëm. Këtë e dëshmojnë rezultatet e PISA-s, TIMSS-it, lista e Shangait dhe raportet e Komisionit Evropian”, theksoi Janevska në prezantimin e objektivave të Strategjisë në nëntor.
Edhe këtë vit, ashtu si në dy vitet e kaluara, arsimi profesional i mesëm u zgjodh nga dy të tretat e nxënësve që përfunduan arsimin fillor. Nga rreth 17.000 nxënës, mbi 12.000 u regjistruan në shkollat profesionale për vitin shkollor 2025/2026.
Numri i kompanive të përfshira në klasat duale është rritur në 700, me trend të vazhdueshëm rritës, ndërsa këto programe tashmë funksionojnë në 61 shkolla të mesme. Konkurset për regjistrim hartohen sipas nevojave të tregut të punës dhe sfidave të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar. Shtatë qendrat rajonale për arsim profesional – në Tetovë, Kumanovë, Ohër, Strumicë, Veles, Manastir dhe Shtip – po rinovohen dhe pajisen plotësisht, ndërsa qendra e tetë do të hapet në Shkup. Ndryshimet ligjore u mundësojnë këtyre qendrave të themelojnë kompani shkollore, për të rritur vetëqëndrueshmërinë e tyre.
Në hap me kohën, MASH ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale do të futet në arsimin e mesëm, për përdorim në lëndë të ndryshme dhe aktivitete jashtëshkollore, duke ndihmuar nxënësit në mendimin kreativ dhe mësimdhënësit në planifikimin e mësimit. Me ligjet e reja për arsimin e lartë pritet rregullim më i fortë dhe rritje e cilësisë së universiteteve, si dhe përmirësim i renditjes së tyre ndërkombëtare. Parashihen programe moderne studimi, më shumë praktikë në institucione publike dhe kompani, si dhe kritere më të rrepta për avancimin akademik. Në këtë drejtim, qeveria ka siguruar qasje falas në platformën Web of Science për profesorët dhe studiuesit, ndërsa është paralajmëruar edhe një version i ri i softuerit për zbulimin e plagjiaturës dhe krijimi i një të ashtuquajturi “mur i turpit” për punime të papërshtatshme akademike.
Në vitin 2025, buxheti për shkencën arriti në 680 milionë denarë, gati dyfish krahasuar me vitin 2024. Për vitin 2026 parashihet një rekord prej 773 milionë denarësh. Ndër prioritetet kryesore është hapja e parkut të parë shtetëror shkencor-teknologjik, që pritet të realizohet deri në fund të mandatit të ministres. Viti 2025 u shënua edhe me mësim për fëmijët në trajtim të gjatë spitalor, angazhimin e asistentëve arsimorë për nxënës me aftësi të kufizuara në shkollat e mesme, vauçerë për pajisje elektronike për studentët, bursa për studimin e gjuhës maqedonase, aplikacionin mobil për E-Ditarin, si dhe mbështetje financiare për pjesëmarrjen e nxënësve në gara ndërkombëtare. (koha.mk)

