Dhjetëra pacientë kanë përfunduar nëpër klinikat e Shkupit nga lëndimet që morën nga festimi i Vitit të Ri. Në klinikën e Toksikologjisë kanë përfunduar 31 persona të helmuar nga alkooli. Pacientja më e re është 14-vjeçare e më e moshuara 44-vjeçare.

“31 bashkëqytetarë tanë gjatë 12 orëve të fundit përfunduan në klinikën tonë. Pacientja më e re është 14 vjeçare ndërsa pacientja më e moshuar është një 44 vjeçare. Nga ky numër 13 ishin të mitur. 21 pacientë ishin meshkuj e 10 femra. Kryesisht të gjithë janë sjellë me indicie për konsumim të tepërt të alkoolit”, deklaroi Niko Beqarovski – Mjek.

Por alkooli nuk ishte shkaku i vetëm që pacientët përfunduan në qendrën klinike. U regjistruan tre aksidente komunikacioni. Nga Tetova është sjellë një 17 vjeçare me lëndime në këmbë nga një aksident e dy pacientë janë lëshuar për kurim shtëpiak. U regjistruan tetë raste të përleshjeve fizike prej të cilave një pacient ka përfunduar me lëndime me thikë. Është regjistruar edhe një lëndim me armë zjarri në Prilep.

“Dy pacientë janë pranuar tek ne në Kirurgjinë Plastike. Kemi dy fëmijë 12 dhe 13 vjeç për mjekim operativ në kirurgjinë e fëmijëve. Kemi një 69 vjeçar në Traumatologji me lëndime nga fishekzjarrët në dorën e majtë. Kemi tre pacientë me lëndime trupore nga fishekzjarrët që janë lëshuar në mjekim shtëpiak. Një 30 vjeçar është gjetur i rrëzuar në rrugë dhe gjendet në rrezik jete. Gjithashtu edhe një 16 vjeçar nga Shtipi është sjellë me lëndime të rënda nga rënia prej lartësisë”, tha Igor Merxhanovski – Drejtor i Klinikës Traumatologjike.

19 pacientë janë dërguar gjithashtu edhe në Spitalin e Qytetit “Shën Naumi i Ohrit”. Një prej pacientëve ka përfunduar me thyerje në këmbë dhe do të operohet. Tetë pacientë kanë marrë lëndime nga përleshjet fizike dhe gjashtë nga lëndimet prej mjeteve piroteknike mes të cilëve dy fëmijë. Katër pacientë janë dërguar në spitalin e qytetit nga aksidentet në komunikacion mes të cilëve një fëmijë pesë vjeçar dhe një pacient në gjendje të dehur. /Alsat.mk

sqShqip