Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Deçan, 2 të vdekur dhe rreth 900 të helmuar nga uji
Komuna e Deçanit ka shpallur gjendje emergjente pas helmimit të rreth 900 personave që nga dita e diel. Dyshimet e vetme deri tani janë nga uji i pijshëm me të cilin furnizohen banorët nga disa fshatra. Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa numri i personave në spital ka shkuar rreth 900 nga helmimi masiv në Deçan të Kosovës.
Dyshohet se shkak i helmimit mund të jetë uji i ujësjellësit, por megjithatë priten ende analizat mikrobiologjike për të dalë në një përfundim.
Kryetari Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, hedh dyshime se ngjarja mund të jetë e qëllimshme, ndërsa thotë se kjo është hera e dytë brenda një muaji që ndodhin helmime.
“Është hera e dytë brenda një muaji që po raportohet e njëjta skenë që na bën të mendojmë se ngjarja mund të jetë e qëllimshme. Prokuroria dhe hetuesit po merren me ngjarjen. Nëse analizat mikrobiologjike e nxjerrin ujin të dëmshëm, për personat përgjegjës do të ndërmerren masa ndëshkuese politike, ligjore e administrative”, tha ai.
Rastet e helmimit filluan që para dy ditësh, ku persona nga fshatrat Irzniq, Prilep e Lugu i Branit, kërkuan ndihmë në spital, pas shfaqjes së simptomave, ndërsa dyshimet janë te uji për shkak se këto fshatra furnizohen të gjithë nga i njëjti ujësjellës.
Edhe banorët janë shprehur se rrjeti i ujësjellësit është i amortizuar dhe ka shumë probleme. Mësohet se furnizimi me ujë në këto fshatra është ndërprerë deri në daljen e përgjigjes së analizave.