Shkup, 29 dhjetor – Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson, propagandës së radhës së VLEN-it, duke e akuzuar këtë subjekt për manipulim të statistikave dhe përpjekje për të krijuar një realitet të rremë rreth përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Sipas BDI-së, të dhënat zyrtare të Avokatit të Popullit e konfirmojnë qartë se rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore ka ndodhur deri në tetor të vitit 2024, pra në periudhën kur ishte ende në fuqi mekanizmi i balancuesit. Çdo shifër pozitive e përfshirë në raportin për vitin 2024, thekson BDI, është rezultat i drejtpërdrejtë i këtij mekanizmi kushtetues, i ndërtuar dhe i mbrojtur ndër vite nga BDI, e jo i ndonjë politike apo angazhimi të VLEN-it.

“Avokati i Popullit e konfirmon se rritja ka ndodhur deri në tetor 2024. Pas shfuqizimit të balancuesit, realiteti në institucione ka ndryshuar rrënjësisht dhe flet për përjashtim, jo për përfaqësim”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Si shembull konkret, partia përmend largimin nga puna të shtatë administratorëve shqiptarë me vendime të përhershme pune, vetëm një javë më parë, pa asnjë arsye ligjore dhe nën përgjegjësinë direkte të ministrit Ivan Stoilkoviq. Sipas BDI-së, edhe më alarmante është fakti se në mesin e të larguarve ka edhe invalid të luftës, çka përbën, siç vlerësohet, një padrejtësi të rëndë ligjore, morale dhe kombëtare. BDI kritikon ashpër heshtjen e VLEN-it ndaj këtyre zhvillimeve, duke e cilësuar atë si bashkëpërgjegjësi politike. “VLEN premtoi se do t’i mbronte administratorët shqiptarë. Sot nuk ka as zë, as guxim dhe as vullnet politik për t’u dalë në mbrojtje”, thekson reagimi.

Partia opozitare thekson edhe ironinë politike, duke kujtuar se VLEN, bashkë me VMRO-DPMNE-në, e sulmonte balancuesin, ndërsa sot përfitimet e tij i paraqet si sukses të vetin. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e balancuesit në tetor 2024, që sipas BDI-së VLEN e shpall si “fitore”, cilësohet si realizim i drejtpërdrejtë i programit parazgjedhor të VMRO-DPMNE-së, i kopjuar fjalë për fjalë edhe në programin qeveritar të dorëzuar në Kuvend.

Lidhur me të ashtuquajturin Ligj për përfaqësim të drejtë, i propozuar nga ministrja Karakamisheva, BDI vlerëson se ky ligj, në formën aktuale, jo vetëm që nuk garanton përfaqësim, por e minon atë. Sipas BDI-së, ligji nuk parasheh kuota etnike, nuk parasheh identifikim etnik, nuk ka mekanizma zbatimi dhe nuk përmban asnjë dispozitë sanksionuese, duke e bërë të pazbatueshëm dhe vetëm “dekor politik”. “Të flasësh për rritje të përfaqësimit, ndërkohë që shqiptarët po largohen nga puna pa arsye dhe pa mbrojtje institucionale, është hipokrizi politike”, thekson BDI, duke shtuar se ajo nuk flet me propagandë, por me fakte.

“Nuk mbrojmë statistika, por njerëz konkretë, familje konkrete dhe dinjitetin e shqiptarëve në këtë shtet. Sot është e qartë: balancuesi solli përfaqësim, VLEN po sjell përjashtim”, përfundon reagimi i Bashkimit Demokratik për Integrim.

sqShqip