Në tre vitet e fundit, mbi 140 mjekë dhe punonjës të tjerë shëndetësorë në Spitalin e Kumanovës janë pensionuar. Ndërkohë shumica e këtyre vendeve të mbetura bosh, nuk janë plotësuar. Në mungesë të anesteziologëve në këtë spital, kujdestaritë i mbulojnë anesteziologët nga Klinikat e Shkupit
“Kemi marrëveshje në bazë të ligjit që një numër i caktuar i anesteziologëve kujdestarojnë tek ne. Me këtë në një farë mënyrë i mbulojmë nevojat. Për momentin mund të them se deri diku situata është e qëndrueshme, por nuk është e zgjidhur në plan afatgjatë”, deklaroi Sasho Stoshevski, drejtor në Spitalin e Kumanovës.
Ai thotë se përkundër kërkesave për punësim, Ministria e Financave nuk ka dhënë mendim pozitiv. Stoshevski shpreson për përgjigje pozitive për punësim në konkursin e ardhshëm që pritet të shpallet në muajin shkurt.
Qytetarët nga ana tjetër ankohen se presin shumë gjatë për të caktuar terminë të lira në repartet e Spitalit të Kumanovës.
“Diku mirë, diku nuk janë mirë, kështu…A prisni shumë, a ka terminë? Varet se ku, diku ka terminë, diku pritet më shumë, varet se për çka është kontrolli”, u shpreh një qytetare.
“A ka termine, a prisni shumë për terminë? Nga një muaj, dy presim varet se si”, u përgjigj një qytetare.
“Ka rrëmujë ka, Kumanova është qytet i madh a spitali është tashmë 100 vjet…shumë njerëz, ndërsa nuk ka as mjek sa duhet, as kushte”, u shpreh një qytetar.
Drejtori i Spitalit thotë se gjatë vitit të ardhshëm do të zgjidhet përfundimisht edhe çështja e terminëve.
“Ashtu siç do të përfundojnë specializantët me specializimet kështu do ta zgjerojmë edhe numrin e ambulancave normalisht edhe terminët. Planifikojmë që për një vit rreth 10 spacializantë do të përfundojnë studimet e tyre, që do të thotë edhe 10 ambulanca të reja, dhe kjo do të thotë edhe 200 terminë shtesë gjatë ditës”, deklaroi Sasho Stoshevski, drejtor në Spitalin e Kumanovës.
Stoshevski tha se me rinovimin e hapësirave, Spitali i Kumanovës do të shndërrohet në qendër rajonale për ndërhyrje ortopedike. /Alsat.mk

