Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po largon 30 diplomatë karriere nga pozitat e ambasadorëve dhe pozita të tjera në ambasada, përcjell TV21. Kjo ndodh në kuadër të përpjekjeve për riorganizimin e përfaqësive diplomatike amerikane dhe vendosjen e stafit që konsiderohet se mbështet plotësisht prioritetet e Trumpit nga programi “Amerika në radhë të parë”, raporton agjencia BETA duke iu referuar Associated Press.
Sipas raportimeve, shefat e misioneve në të paktën 29 vende janë njoftuar javën e kaluar se mandatet e tyre do të përfundojnë në janar, thanë dy zyrtarë të Departamentit të Shtetit që kërkuan të mbeten anonimë. Ata që preken nga ndryshimet nuk e humbasin punën në shërbimin e jashtëm dhe mund të kthehen në Uashington në pozita të tjera nëse dëshirojnë, thanë këta zyrtarë.
Të gjithë ambasadorët e tërhequr janë emëruar gjatë administratës së presidentit Joe Biden, por kanë mbetur në këto poste pas “pastrimit” fillestar në janar të mandatit të dytë të Trumpit, kur u fokusua kryesisht te funksionarët e emëruar politikisht.
Departamenti i Shtetit nuk komentoi mbi numrin konkret të stafit ose ambasadorëve të prekur, por theksoi se bëhet fjalë për një proces standard në çdo administratë.
Siç u tha, ambasadori është “përfaqësues personal i presidentit dhe është e drejtë e presidentit që të sigurohet se në këto vende ka individë që avancojnë agjendën e tij ‘Amerika në radhë të parë’”.
Më së shumti preken vendet e Afrikës, ku janë tërhequr ambasadorët nga 13 vende – Burundi, Kameruni, Ishujt Kap Verde, Gaboni, Bregu i Fildishtë, Madagaskari, Mauriciusi, Nigeria, Ruanda, Senegali, Somalia dhe Uganda.
Në vend të dytë është Azia, ku ka ndryshime ambasadorësh në gjashtë vende – Fiji, Laosi, Ishujt Marshall, Papua-Nova Gvineja, Filipinet dhe Vietnami.
Në Europë, do të ketë ndryshime në Armeni, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi dhe Sllovaki.
Në Lindjen e Mesme në dy vende – Algjeri dhe Egjipt, po ashtu në Azi Jugore dhe Qendrore – në Nepal dhe Sri Lanka, si dhe në hemisferën Perëndimore – në Guatemalë dhe Surinam.
Kujtojmë se ambasadore aktuale në Maqedoninë e Veriut është Angela Price Aggeler./tv21.tv

