Shqipëria nuk do ta zgjasë ndalimin njëvjeçar ndaj TikTok-ut, siç konfirmoi kryeministri Edi Rama në një intervistë për portalin prestigjioz Politico.

Vendimi për të lejuar sërish përdorimin vjen pas bisedimeve të suksesshme me një prej rrjeteve më të mëdha sociale në botë.

“Jemi të kënaqur me rezultatin. Ne kemi krijuar partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt e ardhshëm do të zbulojmë planin për popullin shqiptar, ashtu siç premtuam.“

Rama shprehet i surprizuar nga gatishmëria e TikTok-ut për të bashkëpunuar.

“Në fillim ishte normale të mendonim se ata do të na luftonin, do të hakmerreshin ndaj nesh, do të na bënin presion. I takova vetë dhe mbeta vërtet i impresionuar nga qëndrimi i tyre. Ata po dëgjonin me shumë vëmendje argumentet tona.”

Politico shkruan se platforma me qendër në Pekin nuk ka reaguar ndaj kërkesës për një koment. Ndalimi njëvjeçar i përdorimit të TikTok-ut hyri në fuqi në mars të këtij viti, si pjesë e masave reaguese të qeverisë për vrasjen tragjike të një nxënësi 14-vjeçar nga një shok i tij pas një sherri në rrjetet sociale.

Qeveria tha se u konsultua me shoqërinë civile, por Politico shkruan se ndalimi pati pak efekt në zgjidhjen e çështjes së dhunës në shkolla apo dixhitale.

sqShqip