Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur shpresën se në fillim të vitit 2026 do të shpallet pafajësia për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe komandantët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që po gjykohen në Hagë. Në një paraqitje live në rrjetin social Facebook, kryeministri Rama theksoi se vetëm një vendim pafajësie për këta ish-udhëheqës do të ishte një “shlyerje e kësaj fatkeqësie” që ka zgjatur për mbi pesë vjet.
Ai gjatë kësaj paraqitje, theksoi se ka marrë rrugë drejt Hagës për të ta vizituar Hashim Thaçin, i cili gjendet në paraburgim.
Kryeministri Rama shprehu shqetësimin për procesin gjyqësor, duke e cilësuar atë si një gjyq pa prova, për të cilin shtoi se asnjëherë nuk ka pasur një bazë të fortë faktike që mund të mbështeste akuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK.
Rama theksoi se ky proces ka pasur pasoja të rënda për figurat e njohura të Kosovës dhe për popullin e saj, duke theksuar se ata kanë qëndruar të burgosur në Hagë për pesë vjet, një periudhë të gjatë pa një dënim të arsyeshëm.
“Jam në makinë, rrugës për në Hagë ku do të takoj pas sa kohësh komandantin e UÇK-së, presidentin e Kosovës, i cili u morë nga zyra e tij dhe mbahet peng prej tani më vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare dhe për turpin e madh të të gjithë atyre që e sponsorizojnë atë lloj drejtësie ku shkeljet e standareve, shklejet e të drejtave të njeriut dhe shkeljet e të gjitha normave të procesit ligjor janë fakt. E vetmja normë që ka karakterizuar këtë farsë, ku ende pa u dënuar një president i zgjedhur demokratikisht nga populli, së bashku me tre bashkëluftëtarë që kanë mbuluar detyra të rëndësishme në Kosovë, mbahen të mbyllur, të izoluar”, tha Rama.
Ai më tej ka thënë se beson që e drejta në fund do të fitojë.
“Dua të besoj që e drejta në fund do të fitojë. Këtu ka vetëm një të drejtë që është e drejta e bekuar përjetësisht me gjakun e heronjve, martirëve, dhembjen e patregueshme të nënave, grave e vajzave të përdhunuara e sakatuara gjatë një periudhe nga më të zymtat për vetë Europën, në zemër të Europës”, deklaroi Rama.
Në prill të vitit 2023 ka nisur procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i ngarkon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me përgjegjësi për krime të pretenduara të luftës, pati sjell në gjykatore rreth 125 dëshmitarë, ndërkaq është mbështetur në mbi 100 dëshmi me shkrim.
Gjatë vitit janë organizuar pesa protesta, në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

