Kosovë

Kurti: Në pesë muajt e fundit janë rritur të hyrat buxhetore për 30 për qind

Kryeministri Albin Kurti në hapje të Samitit dyditor të Arsimit dhe Aftësimit në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren ka thënë se arsimi dhe aftësimi profesional e mban çelësin e progresit teknologjik, industrializimit të shpejtë, shtimit të vendeve të punës, krijimit të pasurisë, uljes së varfërisë dhe zbutjes së pabarazisë.

Prioritet në Qeverinë e tij ai ka thënë se ka arsimi dhe aftësimi profesional, duke shtuar se një marrëdhënie e fortë dhe institucionale midis sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe sektorit privat është parakusht i domosdoshëm për sistem të suksesshëm të AAP-së.

“Në rastin e Kosovës faktor mbështetës në transformimin e AAP-së do të jetë përfshirja e diasporës, e cila do të sjellë përvojat nga shtetet gjermanofolëse dhe bashkërisht do të angazhohemi që t’i përshtatim këto praktika në kontekstin tonë. Samiti me temën ‘AAP si promotor i transformimit ekonomik dhe industrializimit të Kosovës’, i organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ka për qëllim diskutimin mbi rolin kyç të arsimit dhe aftësimit profesional në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”, ka thënë tutje ai.

Kurti është lavdëruar se gjatë pesëmujorit të fundit situata ekonomike në Kosovë është përmirësuar dukshëm, krahasuar me pesëmujorin e vitit të shkuar. Sipas tij aktiviteti ekonomik është shtuar për 15%, eksportet janë rritur për 66%, po ashtu janë rritur edhe për 30% të hyrat buxhetore.

“Kjo tregon se si ka eksternalitete pozitive në ekonomi, kur kemi proces dhe rezultat demokratik në zgjedhje. Perspektiva ekonomike pra na bën optimist për të ardhmen. Rritja ekonomike sivjet shkon në 7.9% të Bruto Produktit Vendor. Këtë tani duhet ta ndjekim edhe me implementimin e Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional që e luan një rol vendimtar në plotësimin e hendekut të shkathtësive. Tek ne jo vetëm që e kemi papunësinë e lartë, por fatkeqësisht edhe një pjesë e mirë e atyre që janë të punësuar, këtë nuk e kryejnë në profesionin e tyre për çfarë e kanë kryer shkollimin e lartë apo edhe të mesëm. Arsimi dhe Aftësimi Profesional e mbanë çelësin e progresit teknologjik, industrializimit të shpejtë, shtimit të vendeve të punës, krijimit të pasurisë, uljes së varfërisë dhe zbutjes së pabarazisë”, ka shkruar ai.

Si avantazh ai ka renditur mërgatën, për të cilën thotë se është e lidhur me vendin si pak mërgata në botë.

Sipas tij, numri i bashkatdhetarëve që vijnë më shumë se një herë në vit në vendlindje është tejet i madh.

“Një mërgatë nga e cila ne mund të mësojmë shumë. Edhe unë për vete, Arsimin dhe Aftësimin Profesional e kam mësuar para disa viteve, nga një mërgimtare e jona nga Zvicra e cila më shpjegoi sistemin e trajnimit dual dhe përfitimet nga ky sistem. Mërgata jonë nga shtetet gjermanofolëse i di më së miri përparësitë dhe faktorët kyç të një sistemi të zhvilluar të edukimit dual. Andaj fillimi i një bashkëpunimi të tillë shpresoj të rezultojë me sukses përmes sjelljes së përvojave të mira në Kosovë si dhe përshtatjes së tyre në kontekstin e vendit tonë”, ka thënë ai.

Avantazhi i dytë sipas tij, qëndron te demografia, duke thënë se Kosova ka popullin më të ri në Evropë.

“Rinia jonë ka afinitet në teknologjinë e informacionit, është poliglote, pra din shumë gjuhë dhe moderne. Kjo e bën atë të aftë për të arritur dhe kontribuar shumë në shoqëri. Kjo rini e meriton mbështetjen e të gjithë neve, si të arsimit që buron nga shteti dhe jo vetëm, poashtu edhe të bizneseve qofshin ato publike apo private”, ka shtuar ai.

Kurti ka thënë se përkundër raportimeve zyrtare për papunësi të madhe ekziston paradoksi, sepse sipas tij, bizneset respektivisht industria nuk ka mundur t’i plotësojë vendet e lira të punës me punëtorë të kualifikuar. Këto sinjale, sipas Kurtit, kanë bërë të ditur që sistemi i Arsimit dhe Aftësimit Profesional pa marrë parasysh që është nënshtruar reformave të shumta, nuk ka arritur që t’i përshtatet nevojave të industrisë. G

“Gjithashtu në qoftë se jemi të interesuar që të tërheqim investime të huaja në vend, po që besa edhe vendasit të ri-investojnë, duhet të jemi në dijeni që faktor kyç për investitorët e huaj është fuqia punëtore e kualifikuar e cila do të punësohej menjëherë. Në mënyrë që Arsimi dhe Aftësimi Profesional t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës, përfshirja e sektorit privat në të gjitha proceset është thelbësore duke filluar nga identifikimi i nevojave të tyre për kualifikime, procesin e zhvillimit të kurrikulave, apo plan programeve siç i kemi quajtur dikur, dhe ofrimin e mundësisë për nxënës për të praktikuar shkathtësitë në mjedise të punës. Prandaj, një marrëdhënie e fortë dhe institucionale midis sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe sektorit privat, është një parakusht i domosdoshëm për një sistem të suksesshëm të AAP-së”, ka shtuar tutje ai.