Marco Rubio zyrtarisht sekretar shteti i ShBA-ve, mik i shqiptarëve, Millosheviqin e quajti djall
Senati Amerikan konfirmoi shpejt ish senatorin Marco Rubio si Sekretar të Shtetit të hënën me një votim unanim, duke i dhënë Presidentit Donald Trump anëtarin e parë të kabinetit të tij të ri në ditën e inaugurimit, përcjell INA.
Marco Rubio, ish senator republikan nga Florida, është ndër kandidatët më pak të debatueshëm të Presidentit Trump dhe votimi ishte vendimtar 99-0.
“Marco Rubio është një njeri shumë inteligjent me njohuri të jashtëzakonshme të politikës së jashtme amerikane”, tha Senatori republikan Chuck Grassley në hapje të votimit në Senat.
Ai është i lindur në Miami dhe familjarët e tij janë emigrantë nga Kuba.
Rubio dhe Kosova
Në këtë drejtim, në një postim në platformën ‘X’ në shkurt të vitit 2021, ai kishte përshëndetur njohjen e Kosovës, nga Izraeli, me ndërmjetësim të presidencës së parë të Trump falë Marrëveshjes së Washingtonit.
“Senatori Rubio përshëndet Izraelin dhe Kosovën për themelimin e raporteve diplomatike. Ky është hap i rëndësishëm për të dyja shtetet si dhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, kishte shkruar Rubio.
Po ashtu, në një fjalim të 2011-ës, Rubio kishte folur për rolin e Amerikës në botë – duke përmendur edhe ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së në Kosovë. Ai e quante regjimin e Millosheviqit “djajtë e tjerë”.