Maqedoni

Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime akoma nuk është informuar për interpelancën ndaj Ilire Dautit

Deputetja Ilire Dauti vazhdon të kryejë detyrën e saj si kryetare e komisionit për politikë sociale, demografi dhe të rinj, ndonëse kundër saj u votua interpelancë. Interpelanca sipas rregullores, nuk do të thotë shkarkim automatik por shkarkimi i saj nga detyra duhet të bëhet në një procedurë krejtësisht në vete, përmes komisionit për zgjedhje dhe emërime. Ky komision ende nuk ka marrë njoftim nga kryetari i Kuvendit Gashi se është votuar interpelancë dhe konkluzion kundër Dautit.

Me mos dërgimin e njoftimit nga ana e Gashit, për LSDM-në paraqet dëshmi se e gjithë procedura për miratimin e ligjit për branitellat pengohet nga vet Gashi e jo Ilire Dauti. Sipas deputetit Oliver Spasovski, vet votimi i interpelancës nuk lë hapësirë për interpretime sipas vullnetit të dikujt.

“Nuk ka asnjë bazë për çfarëdo interpretimi apo çfarëdo tjetër nga ana e kryetarit të Kuvendit. Nëse kryetari Gashi vendosë praktikë ku do të votohen interpelanca e më pas askush të mos marrë përgjegjësi apo nuk do ta respektojë atë vendim politik për interpelanca, atëherë pse do të duhej të parashtrohen interpelanca si institut dhe pse Kuvendi do të duhej të harxhojë kohë dhe mjete të mbajë seanca, të debatojë e të sjellë vendime kur Afrim Gashi nuk dëshiron t’i respektojë ato vendime”, deklaroi Oliver Spasovski – LSDM.

Dorëzuesit e interpelancës, “E Majta” habiten me vendimin e Gashit që të mos dërgojë njoftim deri te komisioni për zgjedhje dhe emërime. I bëjnë thirrje Dautit që të tërhiqet vet, e nëse nuk e bën brenda disa ditëve, do të propozojnë pikë të rendit të ditës në komision për shkarkimin e saj.

“Interpelanca si institut lë hapësirë që funksionari kundër të cilit është dorëzuar dhe votuar, vet të tregojë integritet dhe të tërhiqet. 61 vota kishte ajo interpelancë. Me 61 vota zgjidhet Qeveri e ku më të ndryshohet një funksionar i Kuvendit nga komision kuvendor. Ne presim që Ilire Dauti të tregojë se ka fytyrë dhe pas këtij numri vet të tërhiqet dhe për këtë ne lëmë hapësirë”, tha Sashko Jançev – E Majta.

Një ditë më parë kreu i Kuvendit Afrim Gashi njoftoi se në këtë proces, roli i tij si kryetar Kuvendi ka përfunduar dhe nuk do të merret më me interpretime politike. Për shkarkimin e Dautit, tha se është procedurë krejtësisht në vete. Gashi nuk komentoi kërkesën e Dautit që të shfuqizojë konkluzionin e interpelancës, në mënyrë që të vazhdojë të veprojë si kryetare e Kuvendit. Derisa nuk ka një zgjidhje përfundimtare, me komisionin pritet të udhëheqë zv. kryetari i komisionit, i cili po ashtu vjen nga radhët e ASH-së. Nga kjo parti sot nuk treguan nëse dhe kë do të propozojnë në vend të Dautit, nëse kjo e fundit shkarkohet. /Alsat.mk