Kryetari i partisë qeveritare ZNAM, Maksim Dimitrievski, ka vlerësuar se shumica e Badenterit në disa raste e pengon funksionimin e shtetit. Partia opozitare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reaguar në lidhje me sulmet ndaj shumicës së Badenterit.

“Për ne si subjekt politik, Marrëveshja Kornizë është një punë e kryer, e absorbuar dhe është përmbushur dhe zbatuar plotësisht. Megjithatë, fakti është se në momente të caktuara rregulla e Badenterit vë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit. Do të kemi konfirmim për këtë pas zgjedhjeve lokale”, tha ai.

Ai vlerësoi se Maqedonia e Veriut duhet të rishikon këtë mekanizëm ashtu që Maqedonia e Veriut të mos pengohet.

“Dimitrievski hap front të ri kundër Badenterit, mekanizmit kushtetues që garanton barazi dhe stabilitet në vend. Nuk duhet harruar se ky është i njëjti politikan që ua ndaloi përfaqësuesve të VLEN-it përdorimin e flamurit shqiptar dhe që sot tenton të relativizojë Marrëveshjen e Ohrit, duke e quajtur “të përmbushur” dhe “të tejkaluar”.

Kjo nuk është rastësi, është vazhdim i programit të VMRO-së”, deklaruan nga BDI-ja.

BDI-ja opozitare vlerësoi se deklarata e Dimitreivskit kundër badenterit është në kuadër të fushatës së orkestruar të Qeverisë.

Ndryshe, ministri për drejtësi, Igor Filkov, para dy javëve kishte deklaruar se shumica e Badenterit duhet të rishikohet. Kjo ide ishte kritikuar nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe zv.kryeministri Arben Fetai.

Shumica e dyfishtë ose e ashtuquajtura Badenter është një kategori kushtetuese që hyri në aktin më të lartë juridik të shtetit me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit të vitit 2001. Sipas këtij parimi, kur vendoset për ligjet që ndikojnë drejtpërdrejt në kulturë, përdorimin e gjuhëve, arsimin, dokumentet personale, përdorimin e simboleve, duhet të ketë shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm të parlamentit që u përkasin komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë.

sqShqip