Presidenti turk, Tayyip Erdogan, tha pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, se shpreson të diskutojë planin e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke shtuar se “paqja nuk është larg”.
Erdogan u takua me Putinin të premten në Turkmenistan dhe ata diskutuan “përpjekjet gjithëpërfshirëse për paqe” për t’i dhënë fund luftës, sipas një deklarate nga zyra e Erdoganit, ndërsa Turqia përsëriti gatishmërinë e saj për të mbështetur përpjekjet për paqe.
“Pas këtij takimi me Putinin, shpresojmë të kemi mundësinë të diskutojmë planin e paqes me Presidentin e SHBA-së Trump. Paqja nuk është larg, mund ta shohim këtë”, u tha Erdogan gazetarëve pas kthimit nga Turkmenistani.
Armëpushim i kufizuar
Erdogan i tha Putinit të premten se një armëpushim i kufizuar në luftë, i përqendruar në objektet energjetike dhe portet, mund të jetë i dobishëm.
“Deti i Zi nuk duhet të shihet si fushë beteje. Një situatë e tillë do të dëmtonte vetëm Rusinë dhe Ukrainën”, citohet të ketë thënë zyra e Erdoganit të shtunën. “Të gjithë kanë nevojë për lundrim të sigurt në Detin e Zi. Kjo duhet të garantohet.”
Rusia sulmoi dy porte ukrainase të premten, duke dëmtuar tre anije turke, përfshirë një që transportonte ushqime, thanë autoritetet ukrainase dhe pronari i njërës prej anijeve, disa ditë pasi Moska kërcënoi të shkëpusë Ukrainën nga deti.

