Maqedoni

AlternAtivA: Parada e krenarisë në Shkup nuk përfaqëson krenarinë tonë

AlternAtivA – si parti e spektrit konservator – përkujton se parada e a.q. “e krenarisë” nuk na përfaqëson edhe neve. Ne distancohemi nga ky organizim dhe u bëjmë thirrje qytetarëve me bindje konservatore, veçmas qytetarëve shqiptarë, që të shprehin distancim nga një organizim i tillë, duke e shprehur mbështetjen e tyre për familjen tradicionale shqiptare.
Në të vërtetë, ashtu siç e kemi thënë edhe disa herë të tjera, ndonëse ia njohim secilit të drejtën të bëjë çfarë të dojë me veten e tij dhe të besojë e të veprojë si ia ka ëndja, nuk mund të mos themi se paradat e këtilla janë afirmim i një dukurie që për rrethanat tona sociale janë të panatyrshme dhe ato e cenojnë ngrehinën tonë shekullore, siç është familja, dhe e godasin rëndë moralin tonë konservator.
Ne besojmë se celula e shoqërisë është familja dhe ajo si nocion nënkupton vetëm bashkësinë tradicionale heteroseksuale që merr një bekim religjioz dhe publik shoqëror, ndërsa çdo lloj bashkëjetese tjetër, pos kësaj, për ne është shfytyrim i familjes sonë me traditë mijëravjeçare.
Duke u nisur nga kjo, ne shprehim edhe keqardhjen tonë që një organizim të këtillë, që bie ndesh me traditën tonë, e mbështet edhe qeveria e RMV-së, pra LSDM, BDI me filialet e tjera shqiptare aty, për çka e lëmë të gjykojë votuesi shqiptar.
Në fund edhe një herë bëjmë thirrje që të mbrohet familja, sepse – fundja – nëse diçka në historinë tonë e ka fituar çdo betejë ndaj çdo tiranie e shtypjeje, kjo ka qenë familja tradicionale shqiptare.

AlternAtivA – Shkup