Tani ky sistem tubacionesh do të quhet produktosjellës, sepse nga Selaniku deri në Shkup do të transportojë vetëm derivate të përpunuara të naftës, ndërsa nëpër naftësjellës transportohet naftë e papërpunuar nga portet ose fushat naftifere drejt rafinerive, ku pastaj përpunohet

Shkup, 12 dhjetor – Pas më shumë se dhjetë vitesh qëndrimi në heshtje, naftësjellësi Selanik–Shkup po kthehet sërish në funksion, pasi në vitin 2013 kompania greke “Hellenic Petroleum”, sot HELLENiQ Energy, e nxori atë jashtë përdorimi si të pafilueshëm. Transporti i serishëm i derivateve të naftës drejt Maqedonisë së Veriut pritet më së voni deri në fund të vitit, ashtu siç njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski. “Ne si shtet po i zbatojmë të gjitha hapat që ai produktosjellës, i cili për shumë vite ishte dëmtuar dhe konservuar, të vihet në funksion. Po zgjasin testimet, mendoj se tashmë kanë përfunduar, duhet të fillojnë provat e presionit. Në Qeveri kaloi edhe çmimorja, pres që këtë vit ai produktosjellës të vihet në funksion”, deklaroi Mickoski.

Ndërtimi i naftësjellësit ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 1999 që qeveria e atëhershme e kryesuar nga ish-kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Ljubço Georgievski, e nënshkroi me kompaninë greke “Hellenic Petroleum” për blerjen e rafinerisë së vetme të naftës në vend, OKTA.

Tani ky sistem tubacionesh do të quhet produktosjellës, sepse nga Selaniku deri në Shkup do të transportojë vetëm derivate të përpunuara të naftës, ndërsa nëpër naftësjellës transportohet naftë e papërpunuar nga portet ose fushat naftifere drejt rafinerive, ku pastaj përpunohet.

Tubacionet për naftësjellësin Selanik–Shkup janë të gjata rreth 213 kilometra, me kapacitet për të transportuar 2,5 milionë tonë karburant në vit, nga terminalet e “Hellenic Petroleum” deri te rafineria OKTA në Shkup, ku do të magazinohet vetëm karburanti dizel. Transporti i karburantit është rënë dakord ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe “Hellenic Petroleum” të kushtojë 20 euro për ton (29 dollarë), konfirmojnë për REL nga Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe Burimeve Ujore.

KUSH DO TË PËRFITOJË?

Nëse produktosjellësi punon me kapacitet të plotë prej 2,5 milionë tonësh në vit, vlera e përgjithshme e shërbimit do të arrinte rreth 50 milionë euro në vit. Të ardhurat do të ndahen mes Qeverisë së Maqedonisë, e cila përmes ndërmarrjes shtetërore “Naftovod” ka pjesëmarrje prej 20 për qind në kompaninë e përbashkët “Vardaks”, ku pronar shumicë është “Hellenic Petroleum” me 80 për qind. Me njoftimet e Qeverisë së Maqedonisë se po i përfundon procedurat e fundit, nëpër produktosjellës do të mund të rrjedhë karburanti dizel pasi Ministria e Transportit të lëshojë “lejen e përdorimit” përfundimtar. Me këtë do të hyjë në fuqi edhe licenca që Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe Burimeve Ujore tashmë ia ka lëshuar “Vardaks” në vitin 2023, me vlefshmëri prej 35 vjetësh deri në vitin 2058.

“Kur operatori ‘Vardaks’ ta marrë lejen e përdorimit nga shteti, kjo licencë do të hyjë në fuqi”, thotë për REL kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës dhe Burimeve Ujore, Marko Bislimovski. Kërkuam përgjigje nga Qeveria përmes e-mailit se cilat janë përfitimet e pritura për sistemin energjetik dhe ekonomik kombëtar nga produktosjellësi, por deri në publikimin e tekstit nuk morëm përgjigje.

POLEMIKË POLITIKE RRETH PRODUKTOSJELLËSIT

VMRO-Partia Popullore, të cilën e themeloi ish-kryeministri Georgievski pasi u largua nga VMRO-DPMNE, për rifunksionalizimin aktual të naftësjellësit Selanik–Shkup pretendon se ka për qëllim t’i ndihmojë Serbisë në krizën aktuale të naftës. Prej andej thonë se janë të befasuar nga shpejtësia me të cilën po finalizohet procesi dhe pyesin pse ata që për vite i kundërshtonin projektit tani heshtin. Partia e Ljubço Georgievskit shton se argumentet për përfitimet nga naftësjellësi kanë qenë të vlefshme që para 25 vjetësh dhe akuzon se vendi është lënë qëllimisht pa përfitime ekonomike dhe gjeostrategjike.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se roli i Qeverisë është të sigurojë infrastrukturën dhe rregullativën, por jo të hyjë në operacione biznesi. “Ne si Qeveri nuk jemi shoqëri aksionare që të furnizojmë jugun e Serbisë apo vende të tjera. Këtë e bëjnë kompani private që zhvillojnë biznes”, tha kryeministri, duke iu përgjigjur pyetjes nëse shteti do të përpiqet të përfitojë nga kriza e naftës në Serbi përmes eksportit të derivateve në këtë linjë.

TRANSPORT MË I LIRË DHE MË I SIGURT

Teorikisht, transporti i drejtpërdrejtë i derivateve të naftës nga Selaniku në Shkup nëpërmjet tubit duhej të sillte siguri më të madhe dhe shmangie të rreziqeve që i sjell transporti me kamionë dhe cisterna. Sipas profesor Dejan Trajkovski nga Fakulteti Teknik i Manastirit në Universitetin “Shën Kliment Ohridski”, naftësjellësin e aktualizojnë edhe problemet me hekurudhën në vend dhe çmimi më i ulët i transportit nëpërmjet tubacionit. “Në çdo rast, kjo është mënyra më e drejtë për transport, sidomos kur tashmë e kemi”, thotë Trajkovski.

Ndërtimi i naftësjellësit u përfundua në vitin 2002, por dhjetë vjet më vonë, në vitin 2013, në OKTA u ndal plotësisht përpunimi i naftës, me çka rafineria shkoi në falimentim dhe transporti i naftës nëpër tubacion u ndërpre. Arsyet, siç u theksua atëherë nga “Hellenic Petroleum”, ishin kombinim i pafilueshmërisë dhe pengesave rregullatore.

Që nga vetë shitja e OKTA-s në vitin 1999 nga Qeveria e atëhershme e Maqedonisë, lindën konteste që përfunduan para Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris.

Sipas marrëveshjes së atëhershme, të cilën pjesë e opinionit ekspert në Maqedoni e vlerësoi si të dëmshme për shtetin, OKTA iu shit Hellenic Petroleum-it për 32 milionë euro, dhe ndër të tjera nënkuptonte ndërtimin e naftësjellësit, por edhe Maqedonia e Veriut të blinte për 20 vjet të paktën 500 mijë tonë naftë në vit nga Greqia.

PROCEDURAT E ARBITRAZHIT

Pasuan tre procedura të ndara arbitrazhi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris, të lidhura me marrëveshjen për OKTA-n dhe naftësjellësin. E fundit është në dhjetor 2022, kur gjykata vendosi kundër Maqedonisë së Veriut në favor të “Hellenic Petroleum”, ndërsa padia kishte të bënte me mosrespektimin e detyrimeve të marra me marrëveshje, dhe me këtë shteti duhet të paguajë gjithsej 21,47 milionë euro dëmshpërblim, shumë që është dy herë më e ulët nga kërkesa fillestare me kamata, e cila arrinte 42,6 milionë euro. Qeveria atëherë njoftoi se ekipi i angazhuar i avokatëve nga Franca, zyra “Dechert”, kishte arritur ta përgjysmonte kërkesën.

Më herët, në vitin 2019, Maqedonia e Veriut kërkonte mënyrë për të arritur marrëveshje me “Hellenic Petroleum” pas vendimit të atëhershëm të Gjykatës në Paris prej 32 milionë dollarësh, i cili buronte nga moszbatimi i kontratës për blerjen e mazutit. Vendimi i parë ishte në vitin 2007 dhe erdhi pasi Gjykata Kushtetuese e vendit në vitin 2002 anuloi pjesë të caktuara të marrëveshjes me “Hellenic Petroleum”, me çka kompania greke fitoi dëmshpërblim prej 52 milionë eurosh.

Me aktualizimin e tanishëm të hapjes së produktosjellësit, Esad Rahiq, i cili gjatë përbërjes së mëparshme qeveritare, në vitin 2020, u bë drejtor i ndërmarrjes shtetërore “Naftovod”, thotë se pagesa e penaliteteve nga paditë është arsye e madhe që naftësjellësi të kishte filluar shumë më herët me punë. “Sa më shpejt të hapej dhe të fillonte të punonte, aq më shpejt do të paguheshin penalitetet nga paditë”, thotë Rahiq.

Ai shton se vendi ka detyrimin ta hapë produktosjellësin, i cili sipas tij është ndërtuar si investim strategjik prej rreth njëqind milionë dollarësh, dhe thekson se për këtë ka biseduar me dy ish-kryeministrat, Zoran Zaev dhe Dimitar Kovaçevski. Ai u kishte propozuar që sistemi që atëherë të vihej në përdorim, si edhe të vazhdohej ndërtimi për lidhjen me Kosovën, por se propozime të tilla nuk ishin realizuar. (REL)

sqShqip