18-vjeçari Yll Hyseni nga fshati Brod i Komunës së Shtërpcës, i cili ishte paraqitur i zhdukur një ditë më parë, është gjetur sot pa shenja jete një kilometër larg shtëpisë së tij.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë së Ferizajt Kanun Veseli.

Veseli ka thënë se rastin për zhdukjen e tij e kanë paraqitur një ditë më parë familjarët e tashmë të ndjerit.

“Më 10.12.2025, në stacion janë paraqitur familjarët nga fshati Brod, Komuna e Shterpcës, për të raportuar një rast personi të zhdukur, Y. H, ( 19 vjeç ), i cili kishte dalë nga shtëpia më datë 10.12.2025 rreth orës 00:30 dhe nuk ishte kthyer më në shtëpi dhe nuk dihej për fatin e tij. Është kontaktuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar hapjen e rastit “Person i zhdukur””, ka thënë Veseli.

Ndërsa ka bërë të ditur se ai është gjetur në një livadh rreth 1 kilometër larg shtëpisë së tij.

“Ndërsa, sot më 11.12.2025 rreh orës 13:20 është gjetur, rreth 1 kilometër larg shtëpisë së tij, në një livadh, pa shenja jete. Vdekja e të cilit është konstatuar nga mjekët e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shterpcë. Ekipe të policisë janë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit po e hetojnë rastin. Për informata shtesë do të njoftoheni me raport vijues”, ka thënë Veseli.

sqShqip