Maqedoni

Vendimi për “shitjen e dëftesave” merret nesër

Inspektorati shtetëror i Arsimit të martën pritet të konfirmojë nëse janë kërkuar ose jo para nga nxënësit për marrjen e dëftesave për këtë vit shkollor të përfunduar. Drejtori, Ardian Musliu tha për Alsat se nuk mund të zbulojë asgjë rreth inspektimit të kryer në disa shkolla të caktuara derisa raporti nuk përmbyllet plotësisht. Ndërkohë, nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme sërish drejtuan thirrje ndaj shkollave të mesme: Zef Lush Marku-Shkup, 8 Shtatori dhe Nikolla Shtejn-Tetovë si dhe Mirçe Acev- Prilep që t’i kthejnë paratë tashmë të marra nga nxënësit.

Ktheni parat sepse kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur këtë problem. Është për të ardhur keq që të tarifosh për dëftesat në përgjithësi e sidomos në një vit shkollor të zhvilluar online dhe me shumë sfida si në aspektin e mësimit ashtu edhe në aspektin e trajnimeve të mësimdhënësve”- tha Era Aliu, UNSHM.

Drejtori i gjimnazit “Zef Lush Marku” Faruk Zeqiri sërish mohoi se në institucionin që ai drejton ka ndodhur një rast i tillë. Sipas Zeqirit, Inspektoratit të Arsimit këtë e kanë mohuar dhe deklaruar këshilli I prindërve, kujdestarët e klasave dhe unioni I nxënësve të kësaj shkolle.

Unioni I nxënësve të gjimnazit “Zef Lush Marku”

“Unioni i nxënësve të gjimnazit “Zef Lush Marku” deri tani nuk ka pranuara asnjë ankesë nga nxënësit e shkollës në lidhje me “dëftesat”, sipas lajmeve që qarkullojnë në media dhe televizione. Nëse arrin deri tek ne ndonjë ankesë për rastin në fjalë, ne do të jemi afër jush dhe menjëherë me shkrim do ta informojmë shkollën duke paraqitur ankesën tonë”.

Siç pretendojnë nga UNSHM-ja, nxënësit janë detyruar të paguajnë shuma të ndryshme parash për plotësimin e dëftesave me kompjuter. Pavarësisht problemeve të krijuara me dëftesat këto të fundit akoma nuk i janë dorëzuar shkollave. Nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit e cila duhet t’i sigurojë dëftesat kanë paralajmëruar se dëftesat pritet të jenë në duart e nxënësve deri në përmbyllje të vitit 2021 për shkak të gjendjes së krijaur me Covid 19.

Për këtë vit shkollor, me dëftesa janë furnizuar vetëm gjysmë-maturantët të cilët konkuruan në shkollat e mesme si dhe nxënësit të cilët duhej të vazhdonin shkollimin në shtetet e huaja.