May 2, 2024
Maqedoni

Takimi Bekteshi-Nasuj në Bukuresht: Tregtia bilaterale midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë po rritet vazhdimisht, ka potencial të madh për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot në Bukuresht, realizoi takim pune me homologun e tij, Ministrin e Ekonomisë, Sipërmarrësisë dhe Turizmit të Rumanisë Claudiu Nasuj.

Takimi u mbajt në kuadër të veprimtarisë “Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë” si fillimi i një promovimi një javor të produkteve vendore bujqësore dhe ushqimore “Java e Produkteve Maqedonase” në Bukuresht.

Ministri Bekteshi dhe homologu i tij Nasuj diskutuan marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve dhe mundësitë për ruajtjen e trendit pozitiv të zhvillimit, si dhe rritjen me përmbajtje të reja me interes të përbashkët.

Rumania është partneri i 10-të më i madh tregtar i Maqedonisë së Veriut dhe bashkëpunimi dypalësh midis dy vendeve është rritur vazhdimisht në dhjetë vitet e fundit.

Ministri Bekteshi u shpreh se pret që ky bashkëpunim dypalësh do të vazhdojë me një trend pozitiv edhe në periudhën e ardhshme dhe do të thellohet edhe më tej dhe ceku se shpreson që Rumania si një vend mik do të shkëmbejë përvojat nga Bashkimi Evropian, veçanërisht pasi Maqedonia e Veriut është në rrugën e saj për t’u bashkuar me BE.

Ministri Bekteshi informoi kolegun e tij rumun për potencialet ekonomike të Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se Qeveria po krijon politika të parashikueshme për mbështetjen e drejtpërdrejtë të investitorëve vendas dhe të huaj, veçanërisht për kompanitë nga fusha e teknologjisë së lartë dhe të ato të orientuara drejt eksportit.

Njëkohësisht, siç theksoi Ministri Bekteshi, po punohet për të përmirësuar politikat doganore dhe tatimore, të cilat ndikojnë plotësisht në klimën më pozitive të biznesit në vend.

Bekteshi tha se ekziston potencial i madh për rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve, veçanërisht në fushën e energjetikës, transportit, turizmit, bujqësisë dhe infrastrukturës, dhe të dy ministrat ranë dakord të vazhdojnë komunikimin më intensiv dhe të punojnë së bashku për të krijuar modalitete me çka do të përmirësohet bashkëpunimi midis vendeve.