May 20, 2024
Maqedoni

Maqedoni, në mars janë lëshuar 321 leje për ndërtim

Një mijë e trembëdhjetë banesa janë paraparë për ndërtim me 321 leje ndërtimi të lëshuara në mars të këtij viti, ndërsa më shumë se gjysma e banesave, 607 janë në rajonin e Shkupit, tregojnë të dhënat që i publikoi sot Enti Shtetëror për Statistikë.

Numri i lejeve të ndërtimit në mars të këtij viti është për 22,7 për qind më pak krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Vlera e paraparë e objekteve është 5.855.367.000 denarë, 4,8 për qind më shumë në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Më së shumti miratime janë lëshuar në Rajonin e Shkupit, 101, pasuar nga Rajoni i Pollogut, 65, Rajoni Juglindor, 41, Rajoni Lindor, 34, Rajoni Jugperëndimor, 25, rajoni i Vardarit, 22, Rajoni i Pellagonisë, 21. Me më pak leje, 12 është Rajoni Verilindor.

Nga numri i përgjithshëm i lejeve, 193 (60,1 për qind) janë të destinuara për objekte të ndërtimit të lartë, 56 (17,5 për qind) për objekte të ndërtimit të ulët dhe 72 (22,4 për qind) për objekte për rikonstruktim.

Në 200 objekte (62,3 për qind) si investitorë janë persona fizikë dhe 121 (37,7 për qind) investitorë janë subjekte afariste.

Siç thekson ESHS, në periudhën raportuese është paraparë ndërtimi i 1 013 banesave, me sipërfaqe të përgjithshme të dobishme prej 72 506 metra katrorë. Nga 607 banesa të parapara në Rajonin e Shkupit, 487 janë në Komunën e Gjorçe Petrovit, 44 në Komunën e Petrovecit, 43 në Komunën e Gazi Babës, 19 në Komunën e Aerodromit dhe nga katër banesa në Qendër dhe Sopishtë.

Të dhënat statistikore nga fillimit i këtij viti tregojnë se në janar të këtij viti janë lëshuar 256 leje për ndërtim, me ndërtim të parapara të 615 banesave, ndërsa në shkurt janë lëshuar 387 leje për ndërtim, me 951 banesa të parapara, nga të cilat 606 në Rajoni i Shkupit.