Fillon rindërtimi i ISHP-së Klinika Universitare e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit – Shkup, investim me vlerë 92.7 milionë denarë pa TVSH, që do të përmirësojë kushtet për pacientët dhe stafin mjekësor dhe do të rrisë dukshëm efikasitetin energjetik të objekteve.

Siç potencojnë, u nënshkrua Marrëveshja e grantit midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë për realizimin e nënprojektit “Rindërtimi i ISHP-së Klinika Universitare e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit – Shkup, me masat e efikasitetit energjetik”, i cili do të realizohet përmes Njësisë Projektuese në Ministrinë e Financave, me mjete granti të siguruara nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore, si dhe me grant investimi nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

“Këto aktivitete janë pjesë e Komponentit 1b të projektit, i cili përfshin rindërtimin me masat e efikasitetit energjetik të objekteve të pushtetit qendror dhe institucioneve publike shëndetësore. Rindërtimi do të përfshijë tetë ndërtesa të ndërlidhura, me sipërfaqe të përgjithshme ngrohjeje prej 7.247 metrash katrorë. Me këtë investim, Klinika do të ketë zgjidhje moderne të efikasitetit energjetik, kushte pune më të mira dhe më funksionale për stafin mjekësor dhe kushte më cilësore për qëndrimin, trajtimin dhe mjekimin e pacientëve”, potencojnë nga Ministria e Financave.

Aktivitetet e parashikuara të ndërtimit përfshijnë instalimin e izolimit termik në fasada dhe strukturat e çatisë, zëvendësimin e zdrukthëtarisë ekzistuese me zdrukthëtari të re me efikasitet energjetik, sanimin e pjesëve të ndërtesave dhe ambienteve sanitare, si dhe zëvendësimin e ndriçimit ekzistues me sisteme moderne LED me efikasitet energjetik.

" "

“Në kuadër të rikonstruimit do të modernizohen gjithashtu sistemet e ngrohjes dhe ftohjes duke instaluar pompa nxehtësie me efikasitet të lartë dhe konvektorë ventilatorë. Me këtë do të zëvendësohet sistemi aktual i ngrohjes me mazut, gjë që do të kontribuojë në uljen e konsumit të energjisë, uljen e kostove për funksionimin e institucionit dhe uljen e ndikimit negativ në mjedisin jetësor. Me realizimin e projektit pritet të përmirësohen dukshëm karakteristikat energjetike të Klinikës në fjalë, si dhe të krijohet mjedis shëndetësor më modern, më funksional dhe me cilësi më të lartë për pacientët dhe stafin mjekësor”, thonë nga Ministria e Financave.

Theksojnë se rikonstruimi i ISHP-së Klinika Universitare e Mjekësisë Fizike dhe Rehabilitimit – Shkup, paraqet një tjetër investim të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës së mbrojtjes shëndetësore publike dhe është pjesë e aktiviteteve më të gjera për ta përmirësuar efikasitetin energjetik të objekteve publike, shfrytëzimin më efikas të mjeteve publike dhe sigurimin e shërbimeve publike me cilësi më të lartë për qytetarët.

sqShqip