Biden “kërcënon” Putinin: Po prekët demokracitë e tjera, do të keni punë me Amerikën!
Vetëm pak përpara takimit të tyre të parë në Gjenevë javën e ardhshme, presidenti amerikan Joe Biden i lëshoi një paralajmërim homologut të rij rus, Vladimir Putin duke treguar kështu se përballja me shefin e Kremlinit nuk do të jetë e butë dhe e përzemërt.
Po takohem me Putinin, i tha ai personelit amerikan të bazës ajrore Mildenhall në lindje të Anglisë, për t’i treguar atë që unë dua t’i bëj të ditur.
“Ne nuk kërkojmë konflikt me Rusinë. Ne duam një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me të. Por unë kam qenë i qartë: Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen në mënyrë të fortë dhe të kuptimtë kur qeveria ruse të angazhohet në aktivitete dëmtuese. Ne e kemi dëshmuar me fakte një gjë të tillë. Do t`ia bëjmë të qartë palës tjetër se ka pasoja për dhunimin e sovranitetit të demokracisë në Shtetet e Bashkuara, Europë e gjetkë”, tha Biden.
Samiti i Bidenit dhe Putinit në 16 qershor pritet të jetë i tensionuar, me dy liderët që janë përplasur tashmë në distancë për çështje të ndryshme duke nisur nga ndërhyrja e supozuar ruse në zgjedhjet amerikane, siguria kibernatike, Ukraina e sanksionet amerikane. Biden qëllimisht e la këtë takim për në fund të samitit të G7-tës dhe takimeve me krerët e Nato-s dhe të BE-së.
Biden kërkoi kësisoj të tregonte se prioritet kanë partnerët demokratikë. Gjatë gjithë udhëtimit të tij, presidenti amerikan shpreson të paraqesë një pikëpamje të ndryshme nga ajo e paraardhësit Donald Trump, i cili shpesh pretendonte se aleatët e NATO-s përgjithësisht nuk po kontribuojnë pjesën e tyre të drejtë për të mbështetur aleancën ushtarake perëndimore të krijuar shtatë dekada më parë. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden do të “afirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për NATO-n, sigurinë transatlantike dhe mbrojtjen kolektive“.
Gjatë një ndalese të ngarkuar tetë ditore në Europë, Biden takohet veç kryeministrit britanik Boris Johnson edhe me mbretëreshën Elisabeth në Keshtjellën Windsor, do t`i bashkohet për të parën herë si presidentit samitit të Nato-s, ndërsa do të takohet në kryeqytetin belg edhe me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, një aleat që ka zemëruar Uashingtonin nga qëndrimi i tij i vetëm pro blerjes së një sistemi të mbrojtjes ajrore të prodhuar nga Rusia që është i papajtueshëm me atë të NATO-s.