Një nga gjetjet më të rëndësishme të Barometrit të këtij viti është një rritje e dukshme e mbështetjes për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Kjo mbështetje u rrit në 64%, krahasuar me 54% në vitin 2024, duke e bërë këtë nivelin më të lartë në dhjetë vitet e fundit.

Mbështetja më e madhe për anëtarësimin në BE u shpreh nga qytetarët e Shqipërisë 86% dhe të Kosovës 78%.

Më pak BE-ja përkrahet në Serbi nga 42% e të pyeturve në këtë sondazh, ndërsa vetëm 59% e qytetarëve në Malin e Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë janë pro anëtarësimit të shpejtë në familjen europiane.

Javën tjetër, udhëheqësit nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të mblidhen këtu në Bruksel. Gjetjet e Barometrit mund të shërbejnë si busull për atë samit. Për Ballkanin Perëndimor, ky samit është një shans për të treguar se rruga europiane nuk është teorike apo sezonale, por e besueshme. Dhe besueshmëria, siç tregon Barometri i Ballkanit, ndryshon perspektivat. Kur shohim pamjen e plotë, qytetarët, bizneset, institucionet, të rinjtë, del në pah një e vërtetë e thjeshtë, njerëzit në Ballkanin Perëndimor nuk po kërkojnë mrekulli. Ata po kërkojnë rezultate. Ata besojnë te Europa kur Europa beson tek ata“, u shpreh Omer Kapetanovic, kryetar i Këshillit Rajonal.

Ndërkohë, optimizmi në lidhje me afatin kohor të anëtarësimit është në rritje. 26% e të intervistuarve besojnë se anëtarësimi është i mundur deri në vitin 2030, nga 20% e vitit të kaluar, ndërsa 25% besojnë se kjo mund të ndodhë deri në vitin 2035. 71% e të rinjve në rajonin tonë besojnë se anëtarësimi në BE do të ishte i mirë për ekonominë e tyre, niveli më i lartë i besimit mes të rinjve në pesë vitet e fundit.

Rritjet e çmimeve dhe inflacioni mbetën deri tani problemi më i madh për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, sipas sondazhit të fundit të Barometrit të Ballkanit që u prezantua në Bruksel nga Këshilli Rajonal.

Rreth 66% e të pyeturve në këtë anketë përmendën këto probleme si më shqetësueset. Situata e përgjithshme ekonomike u rendit e dyta me 44%, ndërsa korrupsioni shihet si sfida kryesore nga 35% e qytetarëve.

Këtë vit, 64% e qytetarëve të rajonit tonë janë të bindur se bashkëpunimi rajonal mund të përmirësojë situatën ekonomike. Bizneset gjithashtu raportojnë përfitime konkrete të integrimit më të thellë rajonal, duke përfshirë uljen e kostove operative që rrjedhin nga regjimi pa roaming dhe fitimet e pritura nga udhëtimi brenda rajonit duke përdorur vetëm një kartë identiteti.

sqShqip