Trump po përballet me presion financiar dhe ligjor
Ish-presidenti Donald Trump është në prag të një pasurimi të papritur pikërisht në kohën kur po përballet me një presion të jashtëzakonshëm financiar dhe ligjor.
Trump Media, e cila drejton platformën e mediave sociale Truth Social, mund të kthehet në një kompani të listuar publikisht, nëse aksionerët e Digital World Acquisition Corp i japin me votën e tyre dritën jeshile blerjes së saj. Në këtë rast, pas shkrirjes së dy firmave, Trump do të zotëronte të paktën 58% të kompanisë së bashkuar, me një vlerë prej më shumë se 3 miliardë dollarë me çmimet aktuale të aksioneve të Digital World.
Digital World, ose DWAC është ajo që njihet si SPAC, ose një biznes “guaskë” i krijuar pikërisht për të blerë një firmë tjetër dhe për ta bërë publike. Ky do të ishte një fitim i papritur për Trumpin, që vjen në këmbim të një biznesi të cilin vetë auditët e cilësuan vitin që shkoi si “në rrezik dështimi”. Nëse blerja miratohet, dhe gjasat për këtë janë të mëdha, aksionet e kësaj kompanie do të nisin të tregtohen në bursën e Nasdaq-hut nën simbolin DJT, vazhdon BBC.
Marrëveshja nuk ka gjasa të zgjidhë menjëherë çështjet financiare më urgjente të Trump, siç është dënimi i tij për mashtrim në Nju Jork, vazhdon shkrimi. Ish-presidentit i është ndaluar të shesë aksionet e tij për të paktën gjashtë muaj, edhe pse kompania e bashkuar mund edhe të vendosë të bëjë për një përjashtim.
Avokatët e ish-presidentit i thanë më herët gjykatës së apelit në Nju Jork të hënën se ai e ka të pamundur vendosjen e një garancie të plotë prej 454 milionë dollarësh për padinë civile për mashtrim me vlerën e pasurive. Ata kërkuan rrëzimin e gjykatës së nivelit më të ulët, ku parashikohet që Trumpi të depozitojë shumën e plotë në formë garancie për të ndalur ekzekutimin e vendimit, ndërkohë që vazhdon procesi i apelimit.