Kolumna

Çka po ndodhë me vëllezërit tanë në Maqedoninë e Veriut, ministri shqiptar Bujar Osmani përkulet te figurat sllave Qirili dhe Metodi*

Marin Cipuri

Ne shqiptarët që jetojmë brenda kufijve administrativ të Shqipërisë, duhet të jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për vëllezërit tanë në vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut. Në vend se shqiptarët të jenë faktori kryesor në këtë shtet, status që e meritojnë edhe historikisht edhe numerikisht, ata janë të nënçmuar deri në atë nivel, sa që janë të detyruar të përkulen para figurave sllave. Ndoshta ju duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Keni shumë shembuj të atillë, siç është shembulli i ministrit të jashtëm në Qeverinë e Maqedonisë, Bujar Osmani. Jo më larg se dje (24 maj) ai u përkul para figurave pansllave, shenjtorëve Qirili dhe Metodi, të cilët asgjë nuk i lidh me shqiptarët. Fatkeqësisht nuk është rasti i vetëm. Para disa muajve kemi shembullin e zevendeskryeministrit Artan Grubi, i cili shkoi edhe më larg. Ai u përkul te varrezat e ushtareve maqedonas të vrarë në vitin 2001 gjatë luftimeve kundër UÇK-së.

Paramendoni zv kryeministri shqiptar u përkul te lapidari i ushtarëve sllavomaqedonas që kanë luftuar kundër shqiptarëve në vitin 2001!
Edhe unë, si shumë miq të mi në Shqipëri, e kam pasur vështirë ta kuptoj se pse shqiptarët që me numer janë sa maqedonasit, nëse jo më tepër, janë kaq të degraduar në Maqedoninë e Veriut. Këtë temë e kam biseduar me shumë miq e kolegë shqiptar nga Maqedonia, por në thelb ma ka sqaruar miku dhe kolegu im, akademiku Izet Zeqiri. Ja si e zbërthen këtë fenomen kolegu i çmuar, Zeqiri:

Establishmenti maqedonas ka krijuar një subjekt politik “shqiptar” të cilin e mban vazhdimisht në pushtet, paçka që partitë maqedonase në pushtet ndryshohen herë pas here. Për establishmentin shovenist maqedonas (këtë shprehje e përdor profesori Izet Zeqiri), nuk është me rëndësi nëse në pushtet është partia e majtë maqedonase, LSDM, ose ajo e djathtë, VMRO-DPMNE, por është me rëndësi që të mos ketë ndryshime demokratike te kampi politik shqiptar.

Përmes partisë shqiptare që e mban në pushtet, establishmenti maqedonas kontrollon jetën politike, ekonomike, arsimore e kulturore të shqiptarëve.
Përmes këtij subjekti të korruptuar shqiptar, establishmenti maqedonas fsheh korrupsionin e vet para faktorit ndërkombëtar.

Përmes partisë shqiptare që e mban në pushtet, establishmenti maqedonas kontrollon jetën politike, ekonomike, arsimore e kulturore të shqiptarëve. Përmes këtij subjekti, establishmenti maqedonas mbledh kajmakun e miliarda eurove që vijnë çdo vit në Maqedoni, si remitenca nga mergata shqiptare. Përmes këtij subjekti politik, establishmenti maqedonas regruton kriminelët shqiptarë në një vend dhe duke dirigjuat krimin, krijon kushte të padurueshme jete për bashkombasit tanë në pjesën veriperëndimore të vendit dhe ata detyrohen të ikin në vende perëndimore.

Përmes nëntokës së organizuar rreth një subjekti politik, establishmenti maqedonas krijon pasiguri në viset shqiptare për investimet e huaja dhe ato pastaj shkojnë në pjesën e vendit të banuar vetëm me maqedonas, serb e bullgarë.
Përmes këtij subjekti të korruptuar shqiptar, establishmenti maqedonas fsheh korrupsionin e vet para faktorit ndërkombëtar. Korrupsioni i partive maqedonase është shumëfish më i madh se i asaj shqiptare në pushtet. Mirëpo forma e bastarduar se si korruptohen pushtetarët shqiptarë bie më shumë në sy dhe krijon imazhin të ndërkombëtarët se vetëm shqiptarët janë të korruptuar. Keshtu maqedonasit edhe plaçkisin shtetin edhe mbeten të pastër para ndërkombëtarve, sepse korrupsioni i politikanëve shqiptarë është “naivisht transparent”. Kjo është arsyeja pse establishmenti maqedonas me të gjitha mënyrat toleron blerjen e votave, vjedhjen, mbushjen e kutive nga partia shqiptare në pushtet, sepse në çdo variant i konvenon që të ketë një partner të atill politik.
Shembulli më eklatant janë zgjedhjet e vitit të kaluar, kur shumica e shqiptarëve u përcaktuan për ndryshime, por u rrënua edhe sistemi elektronik për numërimin e votave, vetëm ti sigurohen 15 deputetë partisë shqiptare besnike ndaj establishmetit maqedonas.

*Trajtesë e lexuar në Tryezën mbarëshqiptare për parandalim të asimilimit të shqiptarëve në vendet fqinje, që u mbajt sot në Krujë. Qellimisht nuk janë përmendur emra partish që të mos krijohet bindje e gabuar për anim politik.