4 zjarrfikës kanë marrë ndihmë mjekësore pas zjarrit në Tetovë

Maqedoni

Zjarrfikësit e Tetovës edhe sot vazhdojnë me shuarjen e zjarrit në depot e ndërmarrjes Eurokom që ndodhet në rrugën drejt fshatit Falishtë. Zjarri është shuar tërësisht në objektin e ndërmarrjes për shitje, por ende ka zjarr dhe tym nga disa hapësira të depos.

“Është shuar tërë natën dhe do të vazhdojmë me punë edhe gjatë ditës. Kishte zjarr të madh sepse kishte shumë materie ndezëse, ngjyra dhe llaqe, materiale ndërtimore, ngrohës uji. ka pasur intervenim edhe me ujë edhe me shkumë, por nuk është shuar tërësisht, duhet të punohet akoma, ka zjarr dhe tym”, deklaroi Avni Ameti, komandant i Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë.
Për shkak të tymit, ndihmë mjekësore në spitalin e Tetovës kanë marrë katër zjarrfikës.

“Tymi intensiv ishte shkaku për probleme me frymëmarrjen. Katër ishim në spital në të ashtuquajturin pastrim, morëm trajtim me oksigjen dhe infuzion”, sqaroi Ameti.
Ameti tha se pjesëtarët e Armatës kanë kryer matje për radiacion dhe parametra të tjerë, por nuk zbuluan lloj të tillë të ndotjes së ajrit.

“I lus Ministrinë e Mjedisit Jetësor që të matin ndotjen e ajrit, të mos kalojnë dhe të mos vijnë këtu gazetarë dhe persona të tjerë pa maska për mbrojtje të fytyrës. Ky është rasti i dytë që intervenojmë në depo të madhe me materiale ndezëse, ndërkaq që nuk ka asnjë hidrant, kështu që parashtrohet pyetja se kush jep leje të tilla. Njëra ishte fabrikë për prodhimin e peletëve në Sedllarcë. Pamë se nuk kanë hidrantë në objekte. Kjo është punë e çuditshme, kanë materiale prej disa milionë eurove, ndërkaq nuk furnizohen me hidrantë”, theksoi Avni Ameti, komandant i Njësisë territoriale zjarrfikëse Tetovë.
Pronarët e ndërmarrjes thonë se nuk ka pasur prodhim të ngjyrave dhe llakut, siç informoi Qendra për Menaxhim me Kriza. Thonë se bëhet fjalë për objekt të shitjes me depo ku ka pasur të deponuara hekurishte, sanitari, pajisje mobiliesh dhe prodhime të ngjashme, si dhe një asortiment i vogël me ngjyra dhe llak.

Related posts

Pa lejen e prindërve, drejtoresha e shkollës në Njegosh nxënësit shqiptarë i ka regjistruar në paralelet maqedone

Lideri MK

Ministri Mexhiti pret në takim ambasadorin e Italisë, Andrea Silvestri

Lideri2 MK

Tentimi për vjedhje të bankomatit në Butel paralajmëron zgjedhje të parakohshme parlamentare?!

Lideri2 MK