4 vjet burg për shqiptaren e quajtur “Luanesha e Ballkanit”

Bleona Tafallari, një e re shqiptare që u arrestua në nëntor 2021 pasi akuzohej për vepra terroriste, është dënuar me 4 vjet burg nga togat e zeza të Gjykatës së Apelit në Milano.

Hetuesit në vendin fqinj kishin zbuluar në kohën kur Tafallari u arrestua se ajo ishte anëtare në shoqatën terroriste “Luanët e Ballkanit”.

E reja gjithashtu ishte martuar me Përparim Veliqin (21 vjeç), një ushtar i ISIS, po ashtu kosovar me banim në Gjermani. Burri me të cilin kishte krijuar lidhje së fundmi betohej për xhihadin dhe kishte kontakt me bombarduesin e Vjenës, sulmi terrorist i të cilit la pas 4 të vdekur dhe 23 të plagosur.

Në Shkallën e Parë, Tafallari ishte dënuar me tre vjet e katër muaj burg pasi akuzohej për nxitje për kryerjen e një krimi, për shkak të presionit që ushtronte ndaj disa vajzave të reja për t’u martuar me xhihadistë.

E radikalizuar që në moshën 16-vjeçare (tani 21-vjeçe) Tafallari (e cila kishte jetuar më parë në Itali), kur u arrestua në Padova tha se ishte kthyer në Milano nga vëllai i saj për të rinovuar kartën e identitetit dhe për t’iu nënshtruar vaksinimit anticovid.

Bazuar në atë që doli nga hetimet, vajza rezulton se ka përkrahur radikalizmin xhihadist dhe do të kishte kryer aktivitete rekrutimi dhe prozelitizmi, madje edhe mes të miturve, transmeton A2.

“Do të martohem me një muxhahidin dhe mezi pres të vdes me të e përmbytur me gjakun e perëndimorëve”, shprehej ajo në një telefonatë të përgjuar, ku fliste për personin me të cilin do të martohej.

Hetuesit kishin gjetur disa imazhe dhe dokumente mbi terrorizmin dhe “luftën kundër të pafeve” në telefonin e shqiptares, ku përfshiheshin edhe disa udhëzime për paketimin e bombave.

Ndër fotografitë e gjetura, ishte ajo e një të porsalinduri me një armë të mbështetur në bark dhe një kapele me një shehadet (dëshmia me të cilën muslimanët deklarojnë besimin e tyre në një Zot të vetëm dhe në profetin Muhamed), me shenjën që tregon se fëmija ishte tashmë i destinuar për martirizim.

Mesazhet e saj në “Telegram”, gjithashtu ishin të mbushura me emojy me flamurin e zi të ISIS-it dhe imazhe dhe video të prerjeve të kokave dhe mizorive të ndryshme të kryera nga ndjekësit e Kalifatit.

Dhe “miqtë” e saj, të gjithë kosovarë, shfaqnin dëshirën për të luftuar në Siri. Bleona shoqërohej me vajza dhe gra, me të cilat pavarësisht moshës së saj shumë të re, nuk hezitoi t’i këshillonte, t’i bindte apo t’i qortonte, nëse nuk i zbatonin urdhëresat fetare.

“Nusja Pelegrine” ishte pseudonimi i përdorur prej saj në më shumë se 2 mijë biseda të zhvilluara në Telegram.

“Kam tre vjet me burka dhe gjithmonë mundohen të ma heqin, por pa dobi”, shkruante ajo në një bisedë me një tjetër kosovare shumë të re, me nofkën “Zana”, 16 vjeç.