October 4, 2024
Maqedoni

4 shqiptarë të zhdukur nga përplasja e trenave në Greqi

4 shqiptarë rezultojnë të zhdukur nga përplasja fatale e trenave në Greqi natën e së Martës.

Mësohet se ata janë të rinj, të moshave nga 25 në 28 vjeç. Emrat e tyre janë mes 56 emrave të pasagjerëve që ende kanë statusin “të zhdukur”.

Lajmin për shqiptarë mes viktimave e konfirmoi edhe Kryeministri Edi Rama që publikoi vendimin e qeverisë për të shpallur të Dielën e 5 Marsit, ditë zie në vendin tonë.
Bilanci i konfirmuar i viktimave të kësaj tragjedie është thelluar tashmë në 57 pasi të tjerë trupa të pajetë u nxorën nga mbetjet e trenave. Ekspertët kanë nisur kryerjen e testeve të ADN-së për të bërë identifikimin e të gjitha viktimave.

Ndërkaq, tragjedia rezulton të jetë shkaktuar nga një gabim njerëzor. Përgjegjësi i turnit, një 59-vjeçar që u arrestua të Martën pranoi përpara hetuesve se kishte harruar të aktivizonte ndërruesen e binarëve. Ai tha se e kuptoi me shumë vonesë që dy trenat lëviznin në drejtime të kundërta në të njejtin binar dhe se nuk pati kohë të korrigjonte gabimin.