May 18, 2024
Maqedoni

Udhëtojnë nga 90 kilometra për në shkollë! Nxënësit e shkollave të mesme, hallet e tyre i rrëfejnë në çajtore (VIDEO)

Kjo është shëtitorja e të rinjve në fshatin Jabollçishtë, komuna e Çashkës, e cila është një nga 3 komunat më të mëdha rurale në vend. Në hyrje të fshatit pamë rrugë të paasfaltuara, me baltë dhe gropa. Hysniu dhe Elmiu janë shokë. Kanë dalë në fshatë për t’u shëtitur. Ata shoqërohen në çajtore që ndodhet në qendër të Jabollçishtes së Epërme.

Për mua një kafe…
Edhe për mua kafe…

Këtu vijnë shpesh për t’i ndarë mes vete hallet e tyre…
Takohen në këtë lokal sepse në vendbanimin e tyre nuk ka asnjë Qendër Rinore. Hysniu e ka kryer shkollën e mesme në Veles. Rrëfen se sa e kishte të vështirë të udhëtojë çdo ditë nga 90km.

“Udhëtonim me transport të organizuar, kishim një furgon. Nisnim në 5, e në shkollë mbërrinim në orën 7.
Sa udhëtonit deri në shkollë?
45 km vajtje dhe 45 km ardhje, që i bie 90 km. Të rinjtë duan të shpërngulen në vendet evropiane.
Pse?
Sepse këtu nuk ka asgjë” u shpreh Hysni Useini.

Për dallim nga Hysniu, shoku i tij, Elmiu është viti i dytë në gjimnazin “Boro Petrushevski” në Shkup. Ai nuk ka vazhduar në gjimnazin e Velesit, sepse nuk ka ditur mirë maqedonisht, prandaj ishte i detyruar të regjistrohet në ndonjë shkollë në Shkup. Në asnjë shkollë të mesme në Veles nuk ka paralele në gjuhë shqipe.

Pse u vendose të regjistrohesh në shkollë të mesme në Shkup?
“Sepse nuk e di gjuhën maqedonase.
Sa udhëton?

Nuk udhëtoj. Qëndroj në një konvikt për nxënës, ka rreth 60km.
Çfarë aktivitetesh keni në Jabollçishtë?
Nuk kemi. Ose jemi në shtëpi, ose dalim për kafe”, theksoi Elmi Useini.

Tani nxënësit në kohë pandemie nuk janë të detyruar të udhëtojnë dhe mësimin e ndjekin online. Por jo të gjithë kanë këtë mundësi. Shqetëson fakti se shumë nxënës ndjekin mësim vetëm deri në klasën e 5-të. Në shkollën fillore për momentin 813 nxënës po ndjekin mësim. Në klasën e 9-të ka dy paralele me 52 nxënës. Në vitin e fundit shkollor, 30 prej nxënësve nuk e kanë vazhduar arsimin në shkollat e mesme. Kjo do të thotë se 22 nxënës kanë ngelur jashtë procesit arsimor. Shumica prej tyre janë vajza.

“Në krahasim se si ka qenë gjendja është përmirësuar, por në krahasim se si duhet të jetë duhet ende të bëjmë përpjekje të gjithë faktorët me qëllim që ta tejkalojmë gjendjen. Е kemi menduar në të ardhmen se si të tejkalohet ky problem. Është ofruar zgjidhje që edhe këtu të ketë paralele me mësim në gjuhën shqipe. Paralele të shkollave të mesme, shkaku i këtij problemi”, tha Drejtori i Shkollës Fillore “Liria”.

Sa udhëton?

Nuk udhëtoj. Qëndroj në një konvikt për nxënës, ka rreth 60km.

 

 

“Çdo fëmijë ka të drejtë për arsim fillor”, thotë ligji për arsim fillor. Neni 5 thotë:

“Prindi, përkatësisht kujdestari i nxënësit ka obligim që t’i mundësojë fëmijës së tij që ta kryejë obligimin e tij për arsim të detyrueshëm fillor dhe edukim”, thuhet në Ligjin për arsim fillor.

Prindërit nuk deshën të shprehen para kamerës se pse ua shkurtojnë fëmijëve të tyre të drejtën për t’u shkolluar. Për prindin që nuk i lejon fëmijës së tij të shkollohet, parashikohet gjobë prej 1000 deri 2000 euro, por për vitin e fundit shkollor nuk është shqiptuar asnjë gjobë. Komuna së bashku me MASH-in kanë diskutuar për hapje të paraleles shqiptare në shkollën e mesme në Veles, por për shkak të mungesës së kuadrit, ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret. Nxënësit do të ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase ose do të udhëtojnë në qytetet e tjera për të ndjekur mësim. Për momentin udhëtimi i nxënësve është organizuar nga fshati deri te shkolla.