Rrahim Beqiri (1 Janar 1957 – 2 Gusht 2001) i njohur si Komandant Roki, ishte një komandant i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe më vonë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, i cili mori pjesë në Luftën e Kosovës, në Luftën e Luginës së Preshevës dhe në Luftën e vitit 2001 në Maqedoni. Gjatë luftës në Kosovë, ai ishte komandant i Zonës Operative të Marecit dhe në atë kohë mori pjesë në Betejën e Marecit. Gjatë luftës së vitit 2001 në Maqedoni, Rrahim Beqiri ishte komandant i Brigadës 112 të UÇK-së në zonën e Tetovës dhe në atë kohë mori pjesë në Betejën e Tetovës. Lindi më 1 janar 1957 në fshatin Kopernicë të Komunës së Dardanës (ish–Kamenicës) në Kosovë dhe ndërroi jetë më 2 gusht 2001 në Spitalin e Prishtinës si pasojë e plagëve të marra në trup gjatë Betejës së Tetovës. Pas vdekjes ai u shpall Hero i Kosovës.
“Sytë hapur më mbesin, kur shoh Shqipërinë e ndarë, Amanet ua lë unë Roki, kurrë të mos ndalet lufta drejt Bashkimit Kombëtar” (Rrahim Beqiri–Roki).
Me fillimin e Luftës në Kosovë, Rrahim Beqiri iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në rolin e komandantit të Zonës Operative të Marecit. Më vonë, pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai iu bashkua UÇPMB-së në Luftën e Luginës së Preshevës dhe pas fillimit të Luftës së vitit 2001 në Maqedoni ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe depërtoi në kufirin Kosovë–Maqedoni. Ai ishte një nga komandantët e Brigadës 112 të UÇK-së, e cila ishte aktive në rajonin e Tetovës. Ai u plagos rëndë nga forcat ushtarake maqedonase në një përleshje në periferi të Tetovës, në lagjen Drenovec, gjatë betejës për Tetovën ku mori plagë vdekjeprurëse. Ai u transferua menjëherë në spitalin e Prishtinës, ku edhe ndërroi jetë më 2 gusht të vitit 2001. Edhe pse në kushte lufte, bashkëluftëtarët e kishin transferuar me shpejtësi në Spitalin e Prishtinës ku mjekët bënë të pamundurën, por nuk arritën ta shpëtojnë nga vdekja. Rrahim Beqiri është varrosur pranë trupave të dëshmorëve të tjerë të lirisë, në Varrezat e Dëshmorëve në qytetin e Dardanës, (ish–Kamenicës) në Kosovë.
Ahmeti: Me nderim përulemi para veprës së Komandant Rokit

Sot shënojmë 25 vjetorin e rënies heroike të dëshmorit të kombit, Rahim Beqiri – Komandant Roki. Zemra e tij pushoi së rrahuri më 2 gusht 2001, por sakrifica dhe amaneti i tij për liri, barazi e dinjitet mbeten të gjalla dhe janë obligim për çdo brez.
Me nderim përulemi para veprës së Komandant Rokit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, të cilët me flijimin e tyre hodhën themelet e të arriturave tona.
Lavdi e përjetshme Komandant Rokit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!

