Kuvendi sot, me 67 vota ‘për’ dhe 13 ‘kundër’, për ministër pa resor në Qeveri e zgjodhi Zylfikar Zejnullan, kryetar i Partisë Demokratike të Turqve, me të cilën VMRO-DPMNE në pushtet së fundmi nënshkruajti marrëveshje koalicioni.
Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja nuk e mbështeti propozimin për zgjedhjen e Zejnullas për ministër pa resor, siç tha deputeti Oliver Spasovski, kjo nuk ndodhi sepse janë kundër kandidatit, por sepse ata mendojnë se asgjë nuk do të ndryshojë.
Në vend të ndonjë vizioni, vlerësoi Spasovski, kjo është një luftë e pastër për karrige. Ky, tha, është një ministër për Badinter, e jo për përfaqësimin e turqve në Kuvend.”
“Uroj që vërtet që nga sot, pas zgjedhjes, rezultatet të vijnë seriozisht në të gjitha fushat – në ekonomi, në arsim, në shëndetësi, në bujqësi – dhe të shohim se vërtet çështja qëndronte te turqit për përparimin e Maqedonisë. Përndryshe, e vetmja konstante në shtetin bashkëkohor të Maqedonisë, në pushtetet në Maqedoni, është Partia Demokratike e Turqve dhe kjo duhet respektuar”, tha Spasovski nga LSDM-ja.
Deputeti Skender Rexhepi nga “Lëvizja Populli” vërejti se në një kohë kur, siç tha ai, shteti ndodhet në një krizë të përgjithshme ekonomike, sociale, arsimore dhe njerëzore, po hapen resorë të rinj dhe po krijohen funksione të reja. Ai theksoi se Qeveria i centralizon të gjitha institucionet në shtet, e centralizon dhe e mban nën kontroll edhe Kuvendin, mediat dhe gjyqësorin.”
“Komuniteti turk është një komunitet kombëtar i rëndësishëm në këtë vend, i cili ka dhënë një kontribut të madh kulturor, ekonomik dhe arsimor për këtë shtet. Komuniteti turk është shkelur për dy vjet e gjysmë në këtë vend nga kjo qeveri. Dhe sot, në kohën kur komuniteti turk duhet të bëhet faktor dhe të arrijë rezultate, merr një ministri pa resor”, theksoi Rexhepi.
Ai konsideron se për turqit, të cilët sipas tij përbëjnë 4 për qind të popullsisë në vend, marrja e një posti ministror pa resor, ndërsa serbët me vetëm 1 për qind kanë pasur zëvendëskryeministër, ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe tani ministër për Vetëqeverisje Lokale, është fyese.”
Deputeti Bejxhan Ilas (Godtivar) nga Partia Demokratike e Turqve shprehu kënaqësinë që përfaqësuesi i tyre do të jetë në Qeveri.
“Sot jemi dëshmitarë të ruajtjes së parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë në strukturën e Qeverisë. Pas një periudhe më të gjatë kohore, komuniteti turk në shtetin tonë përsëri do të ketë përfaqësuesin e vet në Qeveri. Kjo nuk është vetëm zgjedhje e një ministri. Kjo është një porosi se institucionet duhet të mbeten të hapura për të gjithë qytetarët dhe se çdo komunitet duhet ta ketë mundësinë të marrë pjesë në krijimin e politikave shtetërore”, tha Ilas.
“Duke replikuar ndaj diskutimeve të deputetëve, kryeministri Hristijan Mickoski i ftoi ata që ta mbështesin propozimin, duke vlerësuar se Qeveria do të fitojë në cilësi me zgjedhjen e Zejnullas, i cili paralajmëroi se në seancën e parë të Qeverisë do të marrë një obligim.
Pjekuria e Qeverisë, theksoi kryeministri në arsyetimin e propozimit, shihet në hapjen e institucioneve për të gjithë ata që kanë njohuri, kapacitet dhe qëllim të sinqertë për të kontribuar, dhe që të mos pyetet, siç u shpreh ai, se kush nga vjen, por me besim, me punë, me institucione që funksionojnë dhe njerëz që janë të gatshëm të marrin përgjegjësi kur është më së vështiri. Ai kërkoi mbështetje për parimin se institucionet duhet të drejtohen nga njerëz që mund të mbajnë përgjegjësi, të marrin vendime dhe të punojnë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike apo politike. Ai porositi se shteti sot ka nevojë për stabilitet, për institucione që funksionojnë dhe për njerëz që nuk do ta shpenzojnë energjinë në përplasje politike, por do ta investojnë atë në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
“Pikërisht për këtë sot e propozoj Zulfikar Zejnullan për ministër pa resor. Ky propozim është pjesë e një politike më të gjerë që po e udhëheqim që nga fillimi – një politikë partneriteti, besimi të ndërsjellë dhe marrjeje të përgjegjësisë së përbashkët për të ardhmen e shtetit. Ky partneritet nuk bazohet në ndarje, por në një përcaktim të përbashkët për të punuar për interesat e të gjithë qytetarëve. Besoj se pikërisht në këtë shihet pjekuria e një qeverie – t’i hapë institucionet për të gjithë ata që kanë njohuri, kapacitet dhe qëllim të sinqertë për të kontribuar; të mos pyesë se kush nga vjen, por të veprojë me besim, me punë, me institucione që funksionojnë dhe me njerëz të gatshëm të marrin përgjegjësi kur është më së vështiri”, theksoi Mickoski.
Ministri i ri pa resor Zejnulla gjatë periudhës 2021 – 2024 ka qenë zëvendësdrejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, nga viti 2018 deri në vitin 2021 ka qenë këshilltar në Komunën e Gostivarit, ndërsa nga viti 2017 deri në vitin 2021 ka punuar në Sektorin Juridik të Partisë Demokratike të Turqve të Maqedonisë. Gjithashtu, ka qenë i punësuar edhe në kompaninë “Habib Trans” SHPK. Gjatë angazhimit të tij në vetëqeverisjen lokale, ai ka qenë anëtar i Komisionit për Çështje të Verifikimit, Zgjedhjeve dhe Emërimeve, Komisionit për Planifikimin dhe Rregullimin e Hapësirës dhe Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor, si dhe Komisionit për Çështje Juridike dhe Normative pranë Këshillit të Komunës së Gostivarit.

