May 15, 2024
Kosovë

24 orë të rënda në Prishtinë, dyshohet se dy persona u vranë e një u vetëvra

Tre persona kanë vdekur të mërkurën në Prishtinë. Sipas raportit të Policisë, dyshohet se dy persona janë vrarë e një tjetër është vetëvrarë.

Një grua dyshohet se është vrarë si pasojë e një grabitjeje në rrugën “Dalip Alshiqi”. Policia ka raportuar se gruaja derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Ndërkaq rreth orës 21:30, në rrugën “Ali Vitia” në kryeqytet dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje, dhëndri ka goditur me thikë vjehrri. Viktima i cili duke mos u përballuar plagëve të marra ka vdekur në QKUK, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku. I dyshuari gjendet në arrati, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

E në rrugën “Nezir Muja” mëngjesin e së mërkurës një person ka rënë nga lartësia e një ndërtese. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur viktimën pa shenja jete. Ndërsa ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar.