May 5, 2024
Maqedoni

20 vite nga Marrëveshja e Ohrit, Ahmeti dhe Grubi nuk e përmendin fare kontributin e UÇK-së (Video)

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka shkruar në “Facebook” për seancën e djeshme qeveritare, të udhëhequr nga zv/kr Artan Grubi, e cila ishte solemne për 20-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.

Me seancën e sotme, siç njofton Ahmeti shënohet nisma e manifestime për të shënuar këtë përvjetor. Seancën e vlerëson si historike, por në këtë postim askund nuk përmend e as nuk teflekton rolin historik të UÇK-së, duke habitur si duket edhe pjesën më të flaktë të anëtarësisë së BDI-së.

“Sot u shkrua edhe një copëz historie në qeverinë e vendit tonë. Për herë të parë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mban seancë solemne për të shënuar 20 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Me këtë shënohet edhe nisma e manifestimeve për të festuar këtë të arritur kolosale. Bëhu pjesë e festës!”, shkroi Ahmeti, transmeton TV21.

As zv/kr Artan Grubi nuk e ka përmendur fare rolin e UÇK-së në fjalimin e tij të mbajtur në Qeveri.

Me propozim të zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, Qeveria në këtë mbledhje solemne i miratoi konkluzionet sipas të cilave Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut konstaton se pjesa normative e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit u miratua nga ana e institucioneve të Maqedonisë së Veriut dhe zbatimi i dispozitave ligjore është proces ditor i vazhdueshëm i cili zhvillohet pandërprerë.

Konkluzioni nga mbledhja e Qeverisë është se Marrëveshja Kornizë e Ohrit kontribuoi drejt rritjes së shoqërisë kohezive, të barabartë dhe një shoqëri për të gjithë qytetarët dhe bashkësitë, si dhe për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.

Në këtë mbledhje Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe e miratoi Programin për shënimin e manifestimit për 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit.