Dossier

20 vite më parë Sllupçani ishte në tym e flakë

U futa në oborin e shtëpisë ku ishin të strehuar, kishte rënë një heshtje varri, nuk kishte shenja gjallërie jashtë shtëpive. Ditë më parë jeta rridhte normal, njerëzit punonin, fëmijët shkonin në shkollë dhe rrugët gjëmonin nga zërat e tyre kur ktheheshin nga shkolla. Disa prej tyre e sidomos vajzat vinin së bashku me mësueset e tyre sikur zogjtë e vegjël pas nënave të tyre, mësuesit kishin braktisur shkollën dhe ditaret e tyre kishin mbetur pa u hapur e as pa u shënuar në to ndonjë notë.
Lopët dhe delet dy ditë më parë kullosnin nëpër kodrinat përreth fshatit. Kumbanat e tyre i jepnin ambientit një melodi të këndshme pranverore, bujqit e vyeshëm kishin dalë në arat e tyre për të bërë përgatitjet e të mbjellave pranverore duke mos kuptuar e as përcjellë gjendjen e luftës që kishte filluar të trokas në dyert e këtij vendi disa javë më parë, Ezani i minareve kishte heshtur dhe më nuk po e diktonte ritmin e ditës si më parë…

Fragment nga libri “Betejat e paharruara – 2001” nga Fejzulla Arifi