Maqedoni

12 vite nga rënia e Harun Aliut-Komandant Kushtrimit me shokë

Harun Aliu, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), u vra në një pritë në periferi të Shkupit (policia thotë në Radushë të Shkupit) 12 vjet më parë, gjatë kohës që ishte në arrati ndërsa kërkohej nga MPB, ka dhënë dy intervista me informacione të rëndësishme. Intervistat atëkohë janë publikuar në gazetën “24 orë” dhe agjencinë INA.
Ai ishte një figurë pak e ekspozuar në media, por që shpesh thoshte se gjithandej i është ngushtuar hapësira e komunikimit. Më poshtë ju sjellim dy intervistat e Harun Aliut realizuar nga Naser Pajaziti gazetari dhe botuesi i gazetës “24 orë” që ishte mbyllur vetëm pak muaj më vonë.

INTERVISTA për gazetën e përditshme “24 Orë”
Kjo intervistë u realizua në fillim të 2010 vetëm pak muaj kur ai vritet në mëngjesin e 12 majit të 2010 në pritën e organizuar nga MPB-ja në periferi të Shkupit.

Intervistoi: Naser Pajaziti
24 orë: I nderuar ju nga një kryetar partie në Maqedoni, tanimë gjendeni i arratisur, i dyshuar për vrasjen e një pjesëtari të policisë në Shkup. Cila është e vërteta rreth kësaj që nga një figurë publike, jeni i ndjekur?

Harun Aliu: “Së parti dua të ju bëj me dije juve dhe opinionit të mbarë që Alternativa Kombëtare e ka ngrirë aktivitetin e vet politike për një periudhë të caktuar pikërisht për atë që kryetari i saj u gjet pra një procesi të montuar nga MPB-ja mbase nuk duhet diskutuar që brenda saj apo nën hije është edhe prapavija politike, që e cila na bën të mendojmë se Maqedonia tanimë është shëndrruar në një arenë, e cila ju ka dhënë rast dhe hapësirë të depërtojnë dhe të përplasen interesat e shërbimeve të ndryshme të vendeve fqinje. Nuk do te mend që këto shërbime për të përmbushur misionin e tyre padyshim që përdorin mjete të ndryshme madje aq më pak i kursejnë shqiptarët. Është mëse e qartë që përplasja mes këtyre shërbimeve le pasoja dhe ndikim të vazhdueshëm Brenda institucioneve të vendit dhe reflekton vet shtetin e Maqedonisë“.

24 orë: Pse mendoni se ndodhi kjo me ju dhe ku e adresoni këtë skenarë ndaj jush ?

Harun Aliu: Pyetjen e dytë e gjeni përsëri tek përgjigja e pyetjes së parë. Pra është vetëm një prej formave të tyre e cila duke u bërë presion të vazhdueshëm figurave që kanë një begraund edhe ndikim në opinion, duan që t`u shkaktojnë pezëm, revoltë madje edhe kaos vetëm e vetëm për t`i arritur qëllimet e tyre.
24 orë: Atëherë ku mendoni se do të kërkoni drejtësinë, për këtë akt të montuar ndaj jush.

A keni kërkuar ndihmë diku?

Harun Aliu: Në jemi në përfundim e sipër të procedurës gjyqësore. Nga të gjithë dëshmitë e ofruara kjo lëndë apo aktakuzë tanimë është zhveshur e tëra dhe i ka dalë ngjyra, dhe si e tilla ka mbetur vetëm të kuptohet se kush e planifikoi dhe kush i`a dha ngjyrën. Procedurën në fjalë është duke e ndjekur OSCE –ja në Shkup, kuptohet me kërkesën time dhe subjektin që e drejtoj.

24 orë: Në prizmin politik si e vlerësoni situatën e përgjithshme politike në Maqedoni?

Harun Aliu:“ Mjerim. Maqedonia që të mos gëlltitet nga shërbimet e lartpërmendura duhet të jetë korrekte me qytetarët e saj e në veçanti ndaj shqiptarëve, që fatkeqësisht Maqedonia një gjë të tillë nuk e ka kuptuar akoma, dhe siç duket është e interesuar që edhe më tej kundrejt shqiptarëve të vazhdojë me avazin e vjetër. Ne shqiptarët jemi të diskriminuar nga shteti, duke na trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Ne shqiptarët konsiderohemi si ardhacak nga ASHAM me përkrahje nga Qeveria, derisa jemi autokton në vendet tona. Ne shqiptarët kërkojmë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa politikanët sllavomaqedonas e injorojnë dhe e shkelin atë në mënyrë drastike“.

24 orë: Po rolin e partisë shqiptare në pushtet BDI?

Harun Aliu: “Do të kisha dashur të bëjë më tepër, por fatkeqësisht startin e kish të gabuar.”

24 orë: Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët përballë kësaj situate të brishtë politike?

Harun Aliu: “Unitet, angazhim, unifikim dhe harmoni të plotë në qëndrimet politike.”

24 orë: Në çfarë rrethana do të ngrini zërin për pafajësinë tuaj?

Harun Aliu: “Tani për tani po presim fjalën e drejtësisë dhe pastaj shohim e bëjmë, sigurisht që do ta bëjmë hapin e duhur“.

INTERVISTA për agjencinë e lajmeve INA në kohën kur Harun Aliu ishte lider i partisë

ALTERNATIVA KOMBËTARE

Alternativa Kombëtare është një parti e re politike që nuk arriti të përfaqësohet në Parlamentin e Maqedonisë në zgjedhjet e 2006.

Cila ka qenë ecuria e këtij subjekti politik?

Harun Aliu: “AK si parti ka dalur për të sjellur një mentalitet të ri, një frymë të re politike dhe kuadro të reja dhe të afta që nuk i është dhënë rasti, figura të reja të pakompromituara për t`i dhënë një shtytje përfundimtare procesit të rrumbullaksimit të çështjes shqiptare në Maqedoni, avancimit të pozitës konform standarteve që i kërkon fryma evroperendimore dhe e bazuar në Marrëveshjen e Ohrit. Edhe përkundër që AK nuk arriti të përfaqësohet në Parlament në zgjedhjet e 2006, ajo ka vazhduar ta ruaj reputacionin e saj, aktivistët e denjë të saj dhe aktivitetet për të ngritur zërin e arsyes për të promovuar vlerat e UÇK-së“.

Ju jeni një nga bashkëthemeluesit e UÇK-së dhe siç shihet nuk jeni përfshirë në BDI, partia që thirret në UÇK-në. Kjo shifet se ju keni pasur dallime sa i përket aktivitetit politik ?

Harun Aliu: “Po dallime esenciale mes AK-së dhe BDI-së. Kjo e fundit ishte një parti e cila mori mbi vete përgjegjësinë për të qenë bartëse e sakrifikës së luftës së UÇK-së dhe që kishte për detyrim që të implementojë Marrëveshjen e Ohrit. Ajo pikërisht duke u thirrur se u ngrit në saje të UÇK-së dhe luftës së saj mori besimin e plotë të popullit për të implementuar Marrëveshjen e Ohrit, marrëveshjen e kompromisit midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Por, fatkeqësisht edhe përkundër betimit dhe premtimeve para atij elektorati, BDI shkeli rëndë mbi ate marrëveshje, duke e përgjysmuar nga baza e saj e më poshtë. Këtu edhe qëndron dallimi, se ne grupimi apo ideatorët e AK-së që burojnë nga UÇK-ja dhe lëvizja kombëtare kemi patur tjetër qasje dhe tjetër trend sa i përket procesit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Për ne kjo marrëveshje ishte vetëm si pikënisje për realizimin dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve si element konstituiv dhe i barabartë në Maqedoni dhe jo siç pretendonte dikush se kjo Marrëveshje është përfundimtare për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Por megjithate nuk u arrit që të implementohen edhe ato elemente bazë të Marrëveshjes së Ohrit, duke lënë të nënkuptohet se po ndodh shkelja e rëndë e kompromisit të bërë nga konflikti i vitit 2001 dhe kjo për faj të subjektit shqiptar BDI.”

Emri juaj shumë pak është i njohur apo është bërë publik si bashkëveprimtar i UÇK-ve në Kosovë e më pas edhe bashkthemelues i UÇK-së në Maqedoni. Kush është pra Harun Aliu?

Harun Aliu: “Pra një pjesë e opinionit më njehë si anëtarë i lëvizjeve të para studentore që u organizuan në Universitetin e Tetovës. Pra në moshën studentore jam kyçur si anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) dhe njëkohësisht edhe ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇК) – Zona Operative e dytë e cila përfshinte teritorin shqiptarë të Maqedonisë. Në vitin 1998 organet shtetërore maqedonase ndërmorën një aksion të gjërë për burgosjen dhe likuidimin e aktivistëve të LPK-së në Maqedoni, me ç’rast u bënë burgosje të shumta të bashkëveprimtarëve tanë, si dhe u bë vrasja në mënyrën më mizore e Beqir Limanit, në pragun e shtëpisë së vet-në prani të anëtarëve të familjes së tij.
Që nga kjo kohë kaluam në ilegalitet të thellë duke u arratisur në Shqipëri me qëllim të vazhdimit të më tutjeshëm të veprimtarisë. Unë gjithashtu jam njëri nga themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇК) në Maqedoni. Kam qenë anëtar i Shtabit të Përgjithsëm të UÇК-së dhe pjesëmarrës gati në të gjitha vendluftimet e UÇК-së, duke filluar nga Tanusha, Kalaja e Tetovës, për të vazhduar më tej në luftimet e rrethinës së Likovës gjer tek beteja e Haraçinës.
Në fazën përgatitore të UÇK-së, jam marrë me operativën e saj, me furnizim si dhe me veprime të tjera ushtarake. Ndërsa gjatë luftës së vitit 2001 kam qenë shef i sektorit për mobilizim pranë Shtabit të përgjithshëm të UÇК-së. Gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë i njohur me nofkën Kushtrimi.
Pas perfundimit të Luftës, jam gjetur para një skenari të përgatitur me një mjeshtëri të veçantë/perfide, ku si pasojë e këtij skenari të fëlliqtë u burgosa duke u liruar në vitin 2004, tanimë kur në Maqedoni ishte formuar një parti BDI me në krye Ali Ahmetin, që kjo parti kishte marrë pretendimet si pasardhëse e sakrificës së UÇK-së“.

Ju pretendoni dhe argumentoni se keni qenë një nga krerët e UÇK-së në Maqedoni. Atëherë a mund të na thoni se ku qëndrojnë dallimet mes jush dhe Ali Ahmetit?

Harun Aliu:” Ne kemi shumë dallime, sepse ai ka operaura nga Zvicra, ndërsa unë kam qenë i kyçur drejtpërdrejt në terren në Maqedoni, duke konsoliduar dhe strukturuar celulat e para dhe në vazhdimësi formësimin e UÇK-së si ushtri çlirimtare.
Lëvizja jonë studentore dhe më pas e përfshirë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte kyçur drejtpërdrejt në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në fillet e para kur u bënë celulat e para në Maqedoni, ndërsa Ali Ahmeti ka qenë anëtarë i Lëvizjes Popullore të Kosovës me aktivitet në diasporë. Më vonë tërë aktiviteti ushtarak dhe faza përgaditore e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni është organizuar nga celulat e brendshme që kanë vepruar në terren dhe që kishin bazën në lëvizjen studentore.
Asnjëherë këto celula nuk kanë qenë të drejtuara apo komanduara nga Ali Ahmeti. Fillet e UÇK-së në Maqedoni datojnë që nga viti 1997 e deri në vitin 2001, kur e merrë edhe formën e plotë të një ushtrie çlirimtare. Nga viti 1998 e deri në vitin 2001, por edhe gjatë luftës unë kam operuar me UÇK-në dhe dihet shumë mirë se ka pasur aksione dhe veprime të UÇK-së në Kumanovë, Kërçovë, Prilep, Shkup, Tetovë, etj, aksione që janë marrë përsipër me komunikatat e UÇK-sw. Në tërë këtë organizim vlenë të thuhet se kanë qenë pjesëmarrës shumë figura që tani nuk flitet apo heshtet për rëndësinë dhe rolin e tyre gjatë veprimtarisë nismëtare të UÇK-së.”

Ndalojmë tek periudha e 2001. Si funksiononte Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së dhe cili ka qenë pozicioni juaj?

Harun Aliu: “Me gjithë shokët e mi kemi operuar në terren dhe eprorët që na erdhën në ndihmë nga Kosova,Shqipëria e disa edhe nga diaspora. Ne në fillim u morën vesh me Ali Ahmetin në ate periudhë që shtabi i përgjithshëm të përfshijë në hierarkinë e lartë kuadro dhe oficerë të lartë ushtarak. Por ndodhi e kundërt. Konsolidimi i shtabit fillon gjatë periudhës kur zhvilloheshin luftimet në fund të marsit të vitit 2001.
Nga java e fundit e muajit mars të vitit 2001 në Vicë të Tetovës themeluam hierarkinë e lartë të Shtabit të përgjithshëm, duke u emëruar drejtpërdrejt Gëzim Ostreni shefi i shtabit të përgjithshëm, unë jam emëruar shefi i sektorit për mobilizim G-1, Hazbi Lika u emërua shefi i sektorit për zbulim dhe kundërzbulim G-2, Risi Abdurrahmani u caktua shefi i logjistikës, edhe pse ky post me meritë i takonte bashkëveprimtarit Shefid Xhaferi nga Gostivari. Duhet të kemi parasysh edhe faktin se dy anëtarë të tjerë ishin nga Kosova. Në periudhën e parë shtabi ishte në këtë përbërje, më vonë vijnë edhe emërime të tjera që bëhen në Prizren, ku Brigada 113 Ismet Jashari caktoi dhe dërgoi Nazmi Beqirin, i cili u emërua si zëdhënës i UÇK-së, ndërsa më pas vjenë edhe Sadulla Duraku, i cili emërohet përgjegjës për financa të UÇK-së. Në tërë këtë hierarki ushtarake, Ali Ahmeti ka kryer dy funksione:lider politik dhe komandant i përgjithshëm i UÇK-së, edhe pse nuk posedonte aftësi ushtarake, por edhe shëndeti nuk i`a mundësonte një gjë të tillë, kushte këto të domosdoshme për të komanduar një ushtri guerile“.
Andaj me plotë përgjegjësi themë se pas konsolidimit të shtabit në Vicë, Ali Ahmeti dhe shumica e hierarkisë ushtarake e politike të UÇK-së qëndron në Prizren, ndërsa në Shipkovicë futet pas përfundimit të luftës me betejën e Haraçinës dhe arritjen e Marrëveshjes së Ohrit.
Po, sipas jush, a ka pasur edhe personalitete të tjera që mund ta drejtonin UÇK-në si në planin politik por edhe ate ushtarak ?
Harun Aliu: “Sigurisht që po. Unë do të kisha thënë se rol meritor dhe me aftësi të mëdha ushtarake për ta drejtu UÇK-në kanë qenë edhe shumë personalitete të tjera“.

Po ju pse nuk e morët një detyrë të tillë apo nuk ju ofrua?

Harun Aliu: “Unë edhe përkundër kontributit që kam dhënë, nuk kam pasur ambicie të tilla, sepse kemi pasur besim në sinqeritetin e Ali Ahmetit, e jo edhe në aftësitë e tij.
Mirëpo tani sikur pak të kishim kuptuar se ai do t`i bënte të gjitha këto lëshime dhe do t`i degradonte vlerat e luftës në këto përmasa, atëherë sigurisht që nuk do t`ia kishim leju një komoditet apo luks të tillë postesh. Në kuadër të këtyre lëshimeve më tragjike ishte inkuadrimi i pa skanuar i personave dhe individëve të kompromituar, të dyshimt, spiunëve, njerëzve që familjarë të tyre ishin bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete sllave. Kjo nuk i falet kurrë, që dihet se si këta individë u kyçën në poste të larta duke shkelur mbi gjithë atë sakrificë që u bë me emblemën e UÇK-së.
Ne kishim një ideal dhe konsolidim tjetër që duhej të bëhej me UÇK-në dhe vizionin e saj politik në Maqedoni, duke qenë si bazë e drejtimit të subjektit të ri politik një bërthamë e fuqishme me vlera kombëtare, morale dhe me dinjitet, duke parë si model dy partitë shqiptare PDK dhe AAK në Kosovë.”

Ju thoni se në momente vendimtare ka pasur obstruksione dhe skenare për të ju anashkaluar. Pse dhe si ndodhi kjo?

Harun Aliu: “Është e vërtetë se ka pasur gjëra të tilla kundrejt eliminimit tim në rend të parë politik. Argumentet flasin se neve na është punuar pas shpine dhe gjatë periudhës së luftës, ku ky skenarë merrë formën e plotë me një komplot që më ishte përgaditur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Në këtë periudhë nga shtabi i përgjithshëm me jepet një detyrë për të hetuar një rast në Prishtinë për keqpërdorim fondesh të UÇK-së dhe në detyrë e sipër unë arrestohem nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovë dhe dënohem me 4 vite burg.
I tërë ky skenarë fatkeqësisht ishte përgaditur nga një klan që ka mbajtur uniformën e UÇK-së, e ai klan është “Klani i Kërçovës”.
Këtë rast e dijnë shumë mirë njerëzit që atëherë ishin në hierarkinë e shtabit, por një ditë edhe këtë do ta bëjë publike.
Menjëherë pas arrestimit tim fillon ndryshimi dhe devijimi i procesit të pasluftës që nga forma e demobilizimit poashtu edhe nga mënyra e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Unë në parim u pajtova si anëtarë i shtabit për Marrëveshjen e Ohrit, por isha këmbëngulës që të mos tolerohet ndryshimi i saj dhe të detajohet qartë me afate precize dhe garanca ndërkombëtare implementimi i saj. Unë kam kërkuar atëherë që Marrëveshja të nënshkruhet nga udhëheqësi politik i UÇK-së me palën maqedonase dhe jo nga partitë politike“.

Fillimisht pati zëra se ju do të shkoni në këto zgjedhje në koalicion me BDI-në, por kjo dështoi. Cilët ishin arsyet e këtij dështimi?

Harun Aliu: “Dua të rikthehem nga fillimi im politik pas luftës. Duke parë se BDI pretendonte se bartë vlerat e luftës, nga dalja ime nga burgu unë drejtpërdrejt isha i nxitur dhe i kërkuar nga bashkëveprimtarët dhe bashkëpjestarët e luftës së UÇK-së për t`u kyçur në këtë parti. Por, menjëherë e kuptova se gjithçka ishte devijuar brenda këtij subjekti, duke filluar nga mënyra e të bërit politik por edhe mënyra e emërimit të kuadrove në poste të larta drejtuese.
Në zgjedhjet e 2006 dolëm si parti e vetme e re në zgjedhje, duke arritur fitoren e një pjese të konsiderueshme të votave. Me ofrimin e këtyre zgjedhjeve të parakohshme, pati iniciativa nga jashtë nga bashkëveprimtarët tanë për t`u bashkuar dhe bashkëvepruar sërish me BDI-në. Por në fund pas tentimeve tona për të qenë më konstruktiv dhe të sinqert në këtë bashkëpunim, më në fund morëm një thikë pas shpine nga BDI dhe kreu i saj Ali Ahmeti. Zvarritja e këtij koalicioni kishte për qëllim që të paralizojë AK-në, sepse më në fund nuk patëm kohë që të përgaditemi për zgjedhje“.

Po, pse atëherë arritët një bashkëpunim apo koalicion me PDSH-në. Çka në fakt ju bashkon juve dhe Menduh Thaçin?

Harun Aliu: “Me PDSH-në kemi gjetur një gatishmëri për bashkëveprim dhe bashkëpunim politik, për të dhënë kontributin tonë për të realizuar kërkesat që kanë të bëjnë me ligjin për përkujdesje institucionale për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së, ligjin për zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe në përgjithësi avancimin e pozitës së shqiptarëve, e cila faktikisht u degradua pas luftës dhe nuk u realizuan pikat bazë të paskonfliktit. Ne do të krijojmë një aleancë të gjërë për të avancuar pozitën shqiptare në këto zgjedhje por edhe pas tyre. Jemi të bindur se ndihma jonë do të jetë në shërbim të këtij procesi politik dhe AK-ja do të jetë një zë i arsyes, një bartëse e kërkesave që burojnë nga lufta e UÇK-së“.
Në këto zgjedhje që në fillim të fushatës u shënuan incidente. Si i vlerësoni këtë situatë të tensioneve politike?
“Po ne dënojmë ashpër të gjitha incidentet dhe skenare që synojnë që të nxijnë imazhin e shqiptarëve. Partitë janë të obliguara të veprojnë për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Populli është ai që do të vendos se cili subjekt duhet të bartë procesin politik dhe qeverisjen me vendin. Ne duhet të jemi të kujdesshëm si shqiptarë sidomos në këtë periudhë të proceseve të rëndësishme evrointegruese të rajonit”- tha Harun Aliu.